Greqia mund ta ketë korrikun më të nxehtë në pesë dekada, vapa pritet të vazhdojë - NACIONALE

Greqia mund ta ketë korrikun më të nxehtë në pesë dekada, vapa pritet të vazhdojë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një meteorolog ka paralajmëruar se Greqia pritet që ta ketë korrikun më të nxehtë në 50 vitet e fundit, përderisa vendi po ballafaqohet me një valë të gjatë vape, e cila nuk pritet të largohet as javën e ardhshme.

Ministritë i kanë udhëzuar njerëzit që të punojnë nga shtëpia, për profesionet që janë të mundshme, dhe të mos dalin jashtë pa nevojë. Vapa e jashtëzakonshme ka ndikuar që edhe pikat kryesore turistike të jenë të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, raporton gazeta “The Guardian”.

“Kjo fundjavë ka rrezik që të jetë më e nxehta e regjistruar në korrik në 50 vitet e kaluara”- tha të premten Panagiotis Giannopoulos, meteorolog në televizionin shtetëror, ERT.

“Athina do të ketë temperatura mbi 40 gradë për gjashtë deri në shtatë ditë, deri në fundin e korrikut”- shtoi ai.

Raportohet se një burrë 46-vjeçar ka vdekur në ishullin grek të Evias nga goditja e vapës, pasi ishte pranuar në spital në Chalkida, ku mjekët thanë se duket që shkaku i vdekjes së tij të ketë qenë dështimi i organeve të frymëmarrjes pas shpërfaqjes në temperatura të larta.

Instituti kombëtar meteorologjik më herët raportoi për temperaturë prej 41 gradësh në Attica, ndërsa parashikoi vapë deri në 44 gradë në Thessalia.

Yannis Kallianos, meteorolog në televizionin privat “Mega”, foli për “një valë vape shumë të gjatë e të fuqishme”. “Sipas parashikimeve të fundit, vala e vapës mund të zgjatë deri të enjten ose të premten e ardhshme”- paralajmëroi ai, duke shtuar se edhe era e fuqishme mund të nxitë zjarre.

Lajme të ngjashme