Vazhdojnë zjarret në Greqi, nga e enjtja pritet një valë e re vape
Zjarret në perëndim të Athinës vazhduan për të tretën ditë radhazi të mërkurën, përderisa autoritetet po përgatiten për një valë të re të motit ekstrem në vend.
Që herët në mëngjes, aeroplanët zjarrfikës e rinisën punën në qytezën Mandra, në perëndim të Athinës, dhe në Loutraki, afër kanalit të Korinthit, i cili e ndan territorin kryesor grek me Peloponezin. Zjarrfikësit punuan gjatë tërë natës për ta mbajtur zjarrin larg një kompleksi të rafinerive bregdetare, raporton faqja “Ekathimerini”.
Autoritetet thanë se katër aeroplanë të dërguar nga Italia dhe Franca do të bëhen pjesë e luftës kundër zjarrit të mërkurën.
Brigada e zjarrfikësve raportoi se një zjarr tjetër kishte shpërthyer në ishullin Rodes.
Dhjetëra shtëpi janë djegur nga zjarri dhe qindra njerëz janë detyruar që të zhvendosen për shkak të zjarrit të martën. Qarkullimi i automjeteve u pezullua për disa orë në dy rrugë që e lidhin territorin kryesor grek me Peloponezin. Ato u rihapën pjesërisht të mërkurën herët.
Rreziku nga zjarret ishte i lartë në mbarë vendin. “Ne mbetemi në nivel të lartë të syhaptësisë”- tha zëdhënësi i zjarrfikësve, Vassilis Varthakogiannis.
Shërbimi meteorologjik grek ka paralajmëruar për rrezik të lartë nga zjarret këtë javë, kur vendi po këndellet nga vala e parë domethënëse e vapës këtë verë. Është parashikuar që vala e dytë e vapës të fillojë të enjten.
“Kushtet janë ekstreme dhe ka gjasa që të jenë të tilla edhe për një javë tjetër”- tha Kostas Tsigas, drejtor i shoqatës së zjarrfikësve.
Zjarri që shpërtheu të hënën në rajonin Dervenohoria, rreth 30 kilometra në veri të Athinës, u përhap shpejt me ndihmën e erës dhe arriti në Mandra të martën, duke djegur shtëpi e duke detyruar njerëz që të zhvendoseshin.
