Vapë rekorde në Kinë, temperatura në sipërfaqe shkon në 80 gradë - NACIONALE

Vapë rekorde në Kinë, temperatura në sipërfaqe shkon në 80 gradë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Turistët shkuan për të parë një termometër gjigant në Kinë, ku pajisja tregonte se temperature në sipërfaqe kishte shkuar në 80 gradë Celsius, përderisa numri i të vdekurve nga vërshimet në Korenë Jugore shkoi në 44 të mërkurën.

Në provincën perëndimore kineze, Xinjiang, turistët me kapela dhe çadra e sfiduan veten në temperatura të larta për të bërë fotografi pranë një termometri gjigant që tregonte se temperatura në sipërfaqe ishte 80 gradë, raportoi televizioni shtetëror.

Për çdo verë, turistë kureshtarë shkojnë në Malet Flakëruese për ta parë terrenin interesant me rërë të kuqe në të kaftë, por edhe për ta ndier vapën që pasqyrohet nga sipërfaqja.

Ditëve të fundit, temperaturat në Xinjiang e në pjesë të tjera të Azisë, si dhe në Evropë e në ShBA kanë thyer rekorde.

Të dielën, në një qytezë të largët në Turpan të Kinës u regjistrua temperatura 52,2 gradë, duke e thyer rekordin e mëparshëm në Kinë prej 50,3 gradësh, që ishte regjistruar më 2015.

Në Evropë, zjarret vazhduan për ditën e tretë rresht në perëndim të kryeqytetit grek, Athinë, ndërsa aeroplanët zjarrfikës e rinisën punën në mëngjes e zjarrfikësit punuan gjatë tërë natës për ta mbajtur zjarrin larg një qendre të rafinerive bregdetare, raporton agjencia “Reuters”.

Në Pekinin e kapluar nga vapa, emisari amerikan për klimën, John Kerry, e filloi ditën e tretë të bisedimeve me zyrtarë kinezë, duke shprehur shpresë se bashkëpunimi për ta luftuar ngrohjen globale do të mund t’i ripërcaktonte marrëdhëniet e tensionuara mes dy super-fuqive.

Lajme të ngjashme