Situatë e vështirë në Greqi, BE-ja do të dërgojë katër aeroplanë zjarrfikës - NACIONALE

Situatë e vështirë në Greqi, BE-ja do të dërgojë katër aeroplanë zjarrfikës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka njoftuar se do ta ndihmojë Greqinë në luftën kundër zjarreve, pasi Athina kërkoi përkrahje nga anëtaret e BE-së për shkak të gjendjes së vështirë.

Zëdhënësi i BE-së, Janez Lenarcic, tha se katër aeroplanë zjarrfikës “Canadair” do të dërgohen nga Italia dhe Franca në Greqi pas aktivizimit të mekanizmit të BE-së për mbrojtje civile, raporton gazeta “The Guardian”.

Zjarret në disa fronte në rajonin e Athinës po paraqesin vështirësi për zjarrfikësit, edhe pse autoritetet greke tashmë po mbështeten nga disa zjarrfikës rumunë.

Lajmi për ndihmën shtesë erdhi pas njoftimit se zjarret ishin rindezur në zonën Dervenochoria, rreth 50 kilometra në veri të Athinës.

I nxitur nga era, zjarri jo vetëm që doli i vështirë për t’u kontrolluar, por u përhap me shpejtësi të tillë, saqë autoritetet lëshuan urdhra për evakuim në disa vendbanime.

Rreth 250 zjarrfikës me 75 kamionë dhe aeroplanë zjarrfikës janë duke luftuar kundër zjarrit. Duke thënë se ajri ka tym aq të dendur, saqë është vështirë të shohësh, kryetari i qytezës Mandra, Christos Stathis, fajin për shpejtësinë e përhapjes së zjarreve ia la mungesës së aeroplanëve zjarrfikës.

“Deri në orën 4 të mëngjesit, nuk kushte problem me zjarre në rajonin më të gjerë të Mandras. Fatkeqësisht, mungesa e aeroplanëve zjarrfikës i ka sjellë këto rezultate negative. Unë jam në Panorama, ku kemi lëshuar (urdhra për) evakuim parandalues dhe zjarri është duke lëvizur me shpejtësi të madhe”- tha zyrtari grek.

Sipas raportimeve, edhe një zjarr tjetër, në Loutraki, qytezë në Gjirin e Korinthit, është ndezur përsëri. “Tash për tash janë disa zjarre aktive dhe shumë shpërthime zjarri në Loutraki”- tha zëdhënësi i zjarrfikësve, Ioannis Artophios.

Meteorologët thonë se pritet që era të bëhet më e fuqishme dhe, rrjedhimisht, e mërkura do të jetë ditë jashtëzakonisht e vështirë.

Pritet që era të dobësohet të enjten, por ekspertët tashmë po thonë se ajo që do ta zëvendësojë erën – temperatura prej rreth 44 gradësh, ka gjasë që ta lë prapa vapën e fundjavës së kaluar.

Lajme të ngjashme