Gratë palestineze e përshkruajnë “udhëtimin e tmerrit” gjatë kthimit në Gaza
Gratë palestineze që ishin në mesin e pak njerëzve që u lejuan të ktheheshin në Gaza pas rihapjes së pikëkalimit kufitar në Rafah sipas marrëveshjes së armëpushimit të vitit të kaluar thanë se iu lidhën sytë e duart dhe u morën në pyetje nga forcat izraelite gjatë përpjekjes për t’u kthyer në shtëpi.
Udhëtimi i tyre nga Egjipti të hënën përmes pikëkalimit kufitar dhe matanë zonës së “vijës së verdhë” që kontrollohet nga Izraeli dhe nga një grup militant palestinez, aleat i Izraelit, përfshiu vonesa të gjata dhe konfiskim të dhuratave, përfshirë lodrat, tha njëra nga gratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ishte një udhëtim i tmerrit, poshtërimit dhe shtypjes” – tha 56-vjeçarja Huda Abu Abed përmes telefonit nga një tënd ku po jeton familja e saj në Khan Younis, në pjesën jugore të Gazës.
Rrëfimi i saj u mbështet nga ai i një gruaje tjetër të cilën e intervistoi agjencia “Reuters” dhe nga komentet e një gruaje tjetër të intervistuar në një televizion arab.
Në një përgjigje ndaj kërkesës së agjencisë “Reuters” për koment, ushtria izraelite mohoi se forcat e saj kishin vepruar në mënyrë jo të duhur apo kishin keqtrajtuar palestinezë që e kanë kaluar kufirin e kanë hyrë në Gaza, pa i adresuar akuzat specifike që u bënë nga dy gratë e intervistuara.
Rreth 50 palestinezë pritej të hynin në enklavë të hënën, por deri në mbrëmje vetëm tri gra e nëntë fëmijë u lejuan që ta kalonin kufirin, thanë burimet palestineze e egjiptiane, ndërsa 38 të tjerë po prisnin ende për t’i kaluar kontrollet e sigurisë.
Nga 50 njerëzit që po prisnin për të dalë nga Gaza, shumica për trajtim mjekësor, vetëm pesë pacientë me shtatë të afërm që po i shoqëronin ia dolën që të hynin në Egjipt të hënën.
Një grua tjetër, Sabah al-Raqeb, 41 vjeçe, tha se autobusi me të cilin po udhëtonin u ndal në një pikë kontrolli ku kishte të armatosur palestinezë të mbështetur nga Izraeli, të cilët veten e identifikuan si pjesëtarë të Forcave Popullore, të njohura edhe si grupi Abu Shabab.
Mbiemrat e grave u lexuan me altoparlant dhe secila u përcoll nga dy burra dhe një grua nga grupi Abu Shabab deri në një pikë të sigurisë ku po prisnin forcat izraelite. Grave më pas iu lidhën sytë dhe duart, thanë dy gratë e intervistuara.
U pyetën për njohuritë që kishin për Hamasin, për sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit që do ta nxiste luftën dhe për çështje të tjera që lidheshin me militantizmin, thanë dy gratë.
“Oficeri më pyeti se pse u ktheva në Gaza. Më tha se ajo është shkatërruar. I thashë se u ktheva për fëmijët e mi dhe familjen” – tha zonja Raqeb, e cila u kthye te shtatë fëmijët e saj që po jetojnë në një tendë, pasi ishte larguar nga Gaza dy vjet më parë për atë që priste të ishte udhëtim i shkurtër për trajtim mjekësor.
Abu Abed tha se marrja në pyetje zgjati më shumë se dy orë.
Në një deklaratë ku mohoi se është bërë ndonjë shkelje, ushtria izraelite tha se nuk ka incidente të njohura për sjellje jo të duhur, keqtrajtime, arrestime apo konfiskim të pronës nga establishmenti izraelit i sigurisë.
Rreth 20 mijë banorë të Gazës po shpresojnë që të largohen nga Gaza për trajtim jashtë enklavës. Pavarësisht rihapjes së ngadalshme, shumë prej tyre thanë se ky hap u ka sjellë lehtësim./Nacionale