Goditje dërmuese me sistemin raketor amerikan: Rusia pranon se u vranë 63 ushtarë të saj nga sulmi ukrainas
Raketat ukrainase goditën një ndërtesë që strehonte ushtarë rus në një qytet të okupuar në Donjeck në mëngjesin e ditës së parë të Vitit të Ri, sipas një zyrtari rus dhe ushtrisë ukrainase.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 63 anëtarë të shërbimit të saj kishin vdekur në këtë sulm, shifër kjo që mund ta bëjë sulmin një prej më vdekjeprurësve kundër forcave ruse në Ukrainë prej që nisi lufta.
Një zëdhënës i qeverisë së instaluar nga Rusia në Donjeck e quajti sulmin në qytetin e Makiivkas si “goditje masive”.
Igor Strelkov, një ish zyrtar rus i inteligjencës i njohur edhe si Igor Girkin, tha në një postim në Telegram se ishin “qindra” të vdekur e të lënduar mes viktimave. Por ai shtoi se ishte e vështirë të dihej shifra e sajtë sepse shumë njerëz “kishin mbetur poshtë rrënojave.”
Ndërtesa, e përshkruar edhe nga zyrtarët rus e edhe nga ata ukrainas si shkollë e zanatit, ishte “gati krejtësisht e shkatërruar” për shkak të “municionit që ishte magazinuar në të njëjtën ndërtesë” e që shpërtheu në sulm, u shpreh z. Strelkov.
Ai shtoi se shumë prej ushtarëve të strehuar aty ishin rekrutë rus. Videot e postuara në media sociale shfaqnin zjarrfikësit në rrënojat e ndërtesës, megjithëse siç shkruan New York Times nuk ishte e mundshme të verifikohej autenticiteti i pamjeve në mënyrë të pavarur.
Ukrainasit e goditën ndërtesën duke përdorur një sistem raketor të quajtur HIMARS, dhe e cila iu kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një zëdhënës i qeverisë së instaluar nga rusët në Donjeck me emrin Daniil Bezsonov, tha se sulmi ndodhi disa minuta pas ardhjes së vitit të ri 2023.
Donjecku, një prej katër rajoneve ukrainase që Kremlini e aneksoi ilegalisht në muajin tetor, ka mbetur vendi i disa prej luftimeve më të ashpra në Ukrainë, megjithëse nuk ka pasur zhvillime sa i përket fitores apo humbjes.
Qyteti i Makiivkas, që është pjesë e zonës metropolitane të kryeqytetit rajonal të Donjeckut, është brenda zonës që mbërrihet nga artileria ukrainase me rrezee të gjatë.
Lajmi për sulmin shkaktoi tërbim te blogerët e njohur pro-ushtarakë të Rusisë, shumë prej të cilëve kritikuan forcat e armatosura ruse që kishin vënë një pjesë të madhe të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake brenda zonës që mbërrihej nga raketat ukrainase.
Andrey Medvedev, një përkrahës i njohur i luftës, fajësoi zyrtarët ushtarakë që kishin vënë ushtarët rus në një pozicion aq të lëndueshëm.
“Për 10 muaj luftë, është e rrezikshme dhe kriminale ta konsiderosh armikun budalla që nuk sheh gjithçka,” – shkroi ai në Telegram.

