"Terrori i Vitit të Ri": Sulm masiv raketor i Rusisë ndaj Ukrainës derisa Putini fliste për "fuqinë e dashurisë"
Rusia i gjuajti më shumë se 20 raketa në Ukrainë gjatë të shtunës, natës kur po pritej Viti i Ri 2023.
Artikulli i mëposhtëm është përkthyer prej Nacionales nga The Guardian.
Nga këto raketa të paktën një person mbeti i vrarë në kryeqytet, Kiev, dhe u lënduan dhjetëra të tjerë në atë që një zyrtar e përshkroi si “terrori i natës së Vitit të Ri”.
Sulmi i dytë më i madh raketor në tri ditët e fundit nga Moska e dëmtoi keq një hotel në jug të qendrës së Kievit por po ashtu edhe një ndërtesë rezidenciale në një distrikt tjetër. Një gazetar japonez ishte mes të lënduarve, u shpreh kryetari i kryeqytetit Vitali Klitschko.
Rusia ka sulmuar infrastrukturën vitale të Ukrainës prej muajit tetor me breshëri raketash e dronës, duke shkaktuar edhe reduktime të ashpra të energjisë elektrike në kohën e të ftohtit të madh të dimrit.
“Kësaj here, sulmet masive raketore të Rusisë qëllimisht po shënjestrojnë zona banimi, e jo vetëm infrastrukturën tonë të energjisë,” – u shpreh ministri i jashtëm Dmytro Kuleba me anë të një postimi në Twitter.
“Krimineli i luftës Putin ‘feston’ Vitin e Ri duke vrarë njerëz,” – vazhdoi më tej Kuleba, duke kërkuar që Rusia të privohej nga ulësja permanente në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sulmi u lansua derisa Vladimir Putin po thoshte në video-adresimin e tij për vit të ri se vendi i tij po luftonte në Ukrainë për ta mbrojtur “mëmëdhenë”, dhe për të siguruar “pavarësinë e vërtetë”.
Në mesazhin nëntë-minutësh që u lëshua në televizionin shtetëtor rus – adresimi më i gjatë i tij në sundimin njëzet-vjeçar – Putini fajësoi perëndimin që kishte provokuar luftën dhe kishte tentuar ta “dobësonte dhe ndante Rusinë”.
Duke qëndruar para një grupi burrash e grash të ushtrisë, Putini tha: “Ishte një vit që vuri shumëçka në vendin që i takonte... ky vit demonstroi që nuk ka fuqi më të madhe se dashuria për familjen dhe miqtë, besnikëria për miqtë e shokët, devotshmëria për atdhenë,”
Në fjalimin e dominuar nga tema e luftës së Rusisë në Ukrainë, Putini lavdëroi të gjithë ata që po luftonin si “heronj”.
Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, më herët gjatë 31 dhjetorit tha se fitorja në Ukrainë ishte e pashmangshme. Ai pranoi që vendi i tij po përballej me vështirësi në këtë luftë që po hyn në muajin e 11.