Gjykata Ndërkombëtare Penale thotë se ka juridiksion për hetimin e sulmeve të Hamasit e Izraelit
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), Karim Khan, ka thënë se ky institucion ka juridiksion për hetimin e krimeve të mundshme të luftës që janë kryer nga militantët e Hamasit në Izrael dhe nga izraelitët në Rripin e Gazës, edhe pse Izraeli nuk është shtet anëtar i kësaj gjykate.
Territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Rripin e Gazës, bien nën juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, që do të thotë se gjykata ka autoritet për ta ndjekur penalisht Hamasin, grup që e qeveris Gazën, raporton agjencia “Reuters”.
“Nëse ka dëshmi që palestinezët, qofshin Hamasi apo Brigadat Al Quds ose krahu i armatosur i Hamasit ose ndonjë person tjetër ose ndonjë shtetas tjetër i ndonjë shteti tjetër palë ka kryer krime, po, ne kemi juridiksion kudo që ato janë kryer, përfshirë territorin e Izraelit”- tha në një intervistë kryeprokurori Khan.
Në komentet e tij të para që nga fillimi i sulmit brutal të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën dhe kundërpërgjigjes së Izraelit përmes bombardimeve shkatërruese në Rripin e Gazës, Khani tha se pamjet ishin “zemërthyese”.
“Është e tmerrshme çka po ndodh, çka po shohim në ekranet tona televizive. Duhet të jetë një proces gjyqësor për ta përcaktuar përgjegjësinë penale”- shtoi ai.
“Nuk ke nevojë të jesh prokuror i GjNP-së. Zemra e secilës qenie njerëzore sigurisht se është e ftohur, e ngrirë dhe e thyer, duke i parë fotografitë që po vijnë nga Izraeli e Palestina në ditët e fundit”- tha më tej prokurori Khan.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ndjek penalisht individë për sjellje të dyshimtë kriminale, kur 123 shtetet anëtare të saj nuk kanë vullnet ose nuk mund t’i ndjekin vetë të dyshuarit.
Duke e cituar besimin e tij islam, Khani u bëri apel të gjitha palëve që t’i ndjekin mësimet fetare, duke bërë thirrje për mbrojtjen e të pafajshmëve si dhe respektimin e normave të pranuara ndërkombëtare për zhvillimin e luftës.
“Nuk mund të shënjestrohen qëllimisht civilët ose objektet civile. Nuk mund të përdhohet ose të vritet, të gjymtohet ose të masakrohet. Vrasja e vullnetshme, marrja e pengjeve janë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe duhet të zbatohet ligji”- shtoi ai.
Kur u pyet nëse kishte ndonjë porosi për palët e konfliktit në Izrael dhe në territoret palestineze, Khani bëri thirrje për reflektim e qetësi.
“Kjo është ajo për të cilën ka nevojë momenti, udhëheqësi e ftohtë, humanizëm dhe të kuptuarit se ligji do të na gjykojë të gjithëve”- tha kryeprokurori Khan.
