Gjykata holandeze ia ndalon dhurimin e farës një burri që thuhet se është baba i 500 – 600 fëmijëve
Një gjykatë holandeze të premten urdhëroi një burrë, për të cilin gjykatësit thanë se është baba i 500 deri në 600 fëmijëve përreth botës, që ta ndërpresë dhurimin e farës.
Holandezit 41-vjeçar, i identifikuar nga gazeta “De Telegraaf” si Jonathan Meijer, i ndalohet dhurimi i farës në klinika, thuhet në vendimin e gjykatës. Ai mund të dënohet me 100 mijë euro, nëse e shkel këtë urdhër, raporton agjencia “Reuters”.
Gjykata e urdhëroi holandezin që t’u shkruajë klinikave jashtë vendit që ta shkatërrojnë farën e tij që mund ta kenë në rezerva, përpos dozave të rezervuara për prindërit që tashmë kanë fëmijë prej tij.
Vendimi u mor pas nisjes së rastit nga një fondacion që i përfaqëson interesat e fëmijëve të lindur nga dhurimi i farës dhe prindërit holandezë që e kishin përdorur farën e Meijerit si dhurues.
Ata kanë argumentuar se dhurimi i vazhdueshëm i farës nga ky person e ka shkelur të drejtën për jetë private të fëmijëve të tij, aftësia e të cilëve për të ndërtuar marrëdhënie romantike pengohet nga frika për incest të paqëllimshëm dhe lindje të fëmijëve nga incesti.
Dhurimi masiv i farës nga Meijeri kishte dalë për herë të parë në dritë më 2017 dhe atij i ishte ndaluar dhurimi në klinikat holandeze të fertilizimit, ku ai tashmë ishte bërë baba i mbi 100 fëmijëve.
Megjithatë, ai vazhdoi që ta jepte farën jashtë vendit, përfshirë një kompani daneze, e cila operon në rrafsh ndërkombëtar.
Sipas gazetës “Algemeen Dagblad”, ai kishte vazhduar ta ofronte veten si dhurues në vendet që i ndërlidhnin prindërit e mundshëm me dhuruesit e farës, nganjëherë duke përdorur një emër tjetër.
