Kush falsifikoi dokumente për Dritan Goxhajn? - NACIONALE

Kush falsifikoi dokumente për Dritan Goxhajn?

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Autorizimi i Dritan Goxhajt nga “grupi koordinues i protestës” të bëhet zëdhënës i tij dhe prezantimi i tij si “luftëtarë i UÇK-së”, më shtrëngoi t’u kthehesha reagimeve të mia të publikuara në vitin 2024 për këtë “ANAL-isti” që thur himne për organizatat terroriste Hamas dhe Hesbollah si dhe për regjimet totalitare të Rusisë dhe Iranit.

Në reagimin tim të datës 23 qershor 2026 të titulluar “Simboli i UÇK-së nuk e ka vendin në protestën e Tiranës” publikova njoftimin drejtuar Shtabit të Operacionit “Shigjeta”, të datës 21 prill 1999, nëpërmjet të cilit njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Xheladin Gashi - Komandant Plaku) informonte Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës për deklaratën refuzuese dhe përbuzëse të Dritan Goxhajt për t’u bërë pjesëtar i UÇK-së.

Publikimi edhe nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, të njoftimit të nënshkruar nga Komandant Plaku, nxiti shumëkënd që është përfshirë në trazirat të kërkojnë qime në vezë për të përgënjeshtruar vërtetësinë e njoftimit të nënshkruar nga Xheladin Gashi, dhe për t’ia atribuuar atij gjoja “falsifikimin” e këtij dokumenti. Në kuadër të kësaj përpjekjeje, në portale të ndryshe dhe në rrjete sociale u publikuan “vërtetime” që “dëshmonin” pjesëmarrjen e Dritan Goxhajt në radhët e UÇK-së.

Fillimisht shpërndanë “dokumentin” me numër protokolli Nr.prot. 86/92 dt. 03.01.1999, nëpërmjet të cilit ministri i Ministrisë së Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, z. Azem Syla dhe zëvendësministri pa emër, por me nënshkrim, vërtetonin se “Dritan Laver Gorxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999 deri në fund të luftës, me detyrë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”.

Të gjitha format e falsifikimeve të dokumenteve janë të neveritshme, mirëpo ky vërtetim duhet të hyjë në rekordet më të çuditshme të Librit e Guinness. Është i pashembullt pretendimi se një dokument është protokolluar në një datë kur institucioni në të cilin protokollohet dokumenti në fjalë nuk ka ekzistuar. Më 3 janar të vitit 1999 Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe rrjedhimisht as ministria e Mbrojtjes dhe asnjë ministri tjetër e saj nuk ka ekzistuar. Qeveria e Përkohshme e Kosovës u formua më 2 prill 1999, domethënë KATËR MUAJ MË VONË se pretendimi i dokumentit të falsifikuar.

Nuk e di nëse dikush ua ka tërhequr vërejtje falsifikatorëve për gomarinë që kishin bërë, por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se pak kohë më vonë doli edhe “dokumenti” i dytë për të njëjtën çështje.

Në “dokumentin” e dytë, falsifikatorët ndryshojnë datën e protokollit ( Nr. prot. 88/92 dt 08.09.1999) dhe Dritan Goxhajn e degradojnë nga “komandant i Shtabit të Përgjithshëm” në “komandant kompanie”. Mirëpo në dallim nga “dokumenti” i parë, ku në anën e majtë të “vërtetimit” figuronte funksioni zëvendësministër, pa emër e pa mbiemër, ndërsa në anën e djathtë ajo e ministrit Azem Syla, në “dokumentin” e dytë mungon funksioni zëvendësministër, por bashkë me nënshkrimin është shënuar me shkrim data 3 shtator 2000!!!

Të nënshkruhet një dokument në emër të ministrisë së Mbrojtjes një vjet pasi të jetë protokolluar, dëshmon për injorancën e tyre falsifikatorëve. Qeveria e Përkohshme e Kosovës ndërpreu funksionimin e saj më 31 janar dhe rrjedhimisht askush nuk ka mundur të nënshkruaj NËNTË MUAJ MË VONË në emër të një ministrie që nuk ekzistonte!

E vetmja gjë që mbetet e pandryshuar në të dy “dokumentet” e falsifikuara ka të bëjë me “vërtetimin se Dritan Laver Gorxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999 deri në fund të luftës”.

Mirëpo “rrena i ka këmbët të shkurta” thotë një shprehje e njohur popullore. Falsifikuesit e këtyre “dokumenteve” ose nuk kanë qenë në dijeni, ose mendojnë se shqiptarët kanë harruar se përafërsisht para tre vjetësh, më 18 shtator 2023, në intervistën për emisionin Quo Vadis të Vizion Plus TV të publikuar në YouTube babai i Dritanit, Dilaver Goxhaj deklaroi:

“Dritani në këtë periudhë ishte në praktikë fluturuese në Greqi dhe u kthye me datë 29 mars të vitit ’99, pesë ditë pasi kishte hyrë NATO në luftë”.

https://www.youtube.com/watch?v=bP3y_ljvGTA

Me një fjalë, përgënjeshtrimi i pretendimit se gjoja “Dritan Goxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999” vjen nga babai i tij!

Në kuadër të manipulimeve të lartpërmendura, reagoi publikisht edhe Azem Syla, nënshkrimi i së cilit i cili figuron në dy “dokumentet” e falsifikuara. Në prononcimin e 23 qershorit 2026, ish komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sqaroi se Dritan Goxhaj nuk ka qenë në Kosovë, në frontin e luftës, por ai i është bashkuar UÇK-se disa jave para mbarimit te luftës, në Helshan të Shqipërisë.

Për mua është e qartë që në kontekst të krizës globale në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku rendi i ri botëror është duke marrë formë me rreshtime të reja të aleancave, mercenarët dhe ANAL-istët që thurin himne për Hamasin, Hesbollahun dhe regjimet totalitare kanë për mision të përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e re” sipas këtyre modeleve.

Për mua është e qartë se nuk është e rastësishme që mbështetësit e Hamasit, Hebollahut dhe regjimeve totalitare paraqiten si “luftëtarë të UÇK-së”, por e kanë për mision që t’u japin “argumente” forcave që kundërshtonin ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, për të “dëshmuar” se kjo ndërhyrje ka ndihmuar forca “terroriste”, “fundamentaliste islamike” dhe antidemokratike.

Për mua është e qartë se reagimet e mia nuk “pinë ujë” te mercenarët që kanë misione antishqiptare. Por habitem kur shoh disa nga miqtë e mi, të mbrojnë “mercenarët” e llojit të Goxhajve dhe të shpërndajnë gënjeshtrat e falsifikuesve të “vërtetimeve”. Mendoj se nuk i nderon veprimi që për inat të Ramës apo për hir të Satëmës, shkojnë e flenë me mullixhiun.

Në këtë kontekst pikëpamjet e mia janë të qarta: NUK KRIJOHET SHQIPËRIA E RE ME FUNDËRRINA TË VJETRA! Pakënaqësitë e ligjshme të qytetarëve duhet të adresohen në atë mënyrë, që të mos lënë asnjë shteg për mercenarët e shërbimeve të ndryshme sekrete.

Lajme të ngjashme