Gjykata Supreme e Teksasit e bllokon në çastet e fundit ekzekutimin e të dënuarit me vdekje
Gjykata Supreme e Teksasit, në jug të ShBA-së, e ka bllokuar ekzekutimin e një burri të dënuar me vdekje përmes një vendimi që e mori në mbrëmjen e vonë të së enjtes, ditën kur ishte planifikuar që i dënuari të ekzekutohej me injeksion vdekjeprurës.
Robert Roberson, 57 vjeç, është shpallur fajtor për vrasjen e vajzës së tij 2 vjeçe para më shumë se dy dekadave, por përkrahësit e tij në mbarë ShBA-në dhe hetuesi kryesor i rastit kanë këmbëngulur se ai është i pafajshëm dhe se rasti është ngritur mbi shkencë të rreme, raporton gazeta “The Guardian”.
Një komision prej më shumë se 80 ligjvënësish të Teksasit, përfshirë të paktën 30 republikanë, kishin kërkuar nga bordi i lirimit me kusht dhe guvernatori që ta ndalnin ekzekutimin dhe i kishin dërguar fletëthirrje të dënuarit që të dëshmojë javën e ardhshme në një përpjekje të fundit. Një gjykatës në distriktin Travis të Teksasit e bllokoi ekzekutimin pasditen e vonë të së enjtes, më pak se dy orë para se procesi të fillonte sipas orarit, në mënyrë që Robersoni të mund ta jepte dëshminë e tij.
Gjykata Penale e Apelit e rrëzoi atë vendim të enjten vonë në mbrëmje, por ligjvënësit përsëri dorëzuan apel dhe Gjykata Supreme e Teksasit vendosi në favor të tyre, duke lëshuar urdhër rreth orës 22:00.
Robersoni qëndroi disa orë në një qeli afër dhomës së ekzekutimit, përderisa rasti ishte apeluar dhe ekzekutimi dukej se ishte afër.
Avokatja e të dënuarit, Gretchen Sween, u shpreh e gëzuar që ai “jeton për të luftuar edhe në një ditë tjetër”.
Rasti ka nxitur reagime në nivel vendi, pasi avokatët e Robersonit kanë këmbëngulur që nuk ka ndodhur asnjë krim dhe se të dhënat mjekësore tregojnë që vajza e tij kishte vdekur nga pneumonia, që më pas kishte kaluar në sepsis.
Robersoni e kishte dërguar vajzën e tij, Nikki Curtis, në spital në qytezën Palestine të Teksasit më 31 janar të vitit 2002. Ai u kishte thënë mjekëve se vogëlushja ishte e sëmurë me ethe dhe ishte rrëzuar nga shtrati.
Fëmija “nuk po merrte frymë dhe kishte ngjyrë të kaltër në lëkurë”, thuhet në dokumentet e gjykatës, dhe ishte dërguar me nxitim në një spital tjetër në qytetin Dallas. Vajza ishte shpallur e vdekur dhe mjekët kishin dyshuar për abuzim, duke vlerësuar se lëndimet e saj ishin në përputhje me sindromin “foshnja e tundur”.
Kjo gjendje ndodh kur një foshnjë ose një fëmijë i vogël tundet në mënyrë të përsëritur, duke rezultuar në goditjen mes trurit dhe pjesës së brendshme të kafkës. Mjekët kishin vërejtur se Robersoni nuk kishte emocione, duke i nxitur edhe më tej dyshimet për abuzim, dhe me 1 shkurt 2002, autoritetet e kishin akuzuar atë për vrasje të rëndë./Nacionale