Vrasësi serial 'The Serpent', Charles Sobhraj, do të lirohet nga burgu i Nepalit - NACIONALE

Vrasësi serial 'The Serpent', Charles Sobhraj, do të lirohet nga burgu i Nepalit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Gjykata e lartë e Nepalit ka urdhëruar të mërkurën lirimin nga burgu të Charles Sobhraj, vrasësit serial francez që ka frymëzuar edhe serialin televiziv të nominuar për çmime "The Serpent”.

Sipas zëdhënësit të gjykatës, vendimi për lirimin e tij ka ardhur për shkak të moshës dhe shëndetit, ku një grup gjykues ka urdhëruar qeverinë ta lirojë dhe të deportojë në “vendin e tij” brenda 15 ditësh.

Sobhraj, 78 vjeç, ishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe po vuante dënimin në një burg në periferi të Bhaktapur për vrasjen e dy turistëve në vitin 1975, por shumë nga vrasjet e tij të tjera janë ende të pazbardhura.

Dyshohet se Sobhraj, i njohur me emrin e tij "The Serpent”, apo “Gjarpri", ka droguar, ka grabitur dhe ka vrarë turistë.

I lindur në Saigon të administruar nga Franca, Vietnam, Sobhraj është burgosur fillimisht në Paris në 1963 për vjedhje, por ai ka vazhduar të akuzohej për kryerjen e krimeve në një listë vendesh: Francë, Greqi, Turqi, Iran, Afganistan, Pakistan, Nepal, Indi, Tajlandë dhe Malajzi.

Ai gjithashtu është arrtisur nga burgjet në disa vende, dhe kjo prirje e tij për t’iu shmangur autoriteteve i ka sjellë pseudonimin "Gjarpri".

Sipas biografëve të tij, Sobhraj përfundimisht ka pranuar vrasjen e të paktën 12 personave midis viteve 1972 dhe 1976. Por, numri i saktë i viktimave të tij nuk dihet ende.

Një dramë e BBC/Netflix e vitit 2021 e quajtur "Gjarpri" bazohet në historinë e vrasjeve të supozuara të Sobhraj. Aty tregohet se si për vite me radhë, ai i është shmangur ligjit në të gjithë Azinë, ndërsa dyshohet se ka droguar, grabitur dhe vrarë turistë përgjatë të ashtuquajturit “shtegu hipi” – ndërsa ish-diplomati holandez Herman Knippenberg ka punuar me autoritetet për kapjen e tij.

Lajme të ngjashme