Gjermania ua lehtëson punësimin imigrantëve përmes tri rrugëve, përfshihet Kosova - NACIONALE

Gjermania ua lehtëson punësimin imigrantëve përmes tri rrugëve, përfshihet Kosova

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjermania të mërkurën i publikoi draft-reformat për imigrimin, trajnimin e shkathtësive dhe promovimin e imigrimit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, përpjekje e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për ta plotësuar mungesën e punëtorëve në ekonominë më të madhe të Evropës.

“Me këtë ne po e vëmë themelin për një fillim të ri të politikës së imigrimit. Kushdo që mund të kontribuojë për suksesin ekonomik të vendit si punëtor i kualifikuar, është i mirëpritur”- tha ministri i Financave, Christian Lindner, pasi kabineti i miratoi reformat, raporton agjencia “Reuters”.

Njëra nga reformat është një ligj i ri për imigrimin, qëllimi i të cilit është adresimi i problemve kyçe për imigrantët në Gjermani, sidomos për ata që vijnë nga shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Në draftin e këtij ligji, i cili është parë nga agjencia “Reuters”, thuhet se reforma mund ta rrisë numrin e punëtorëve nga shtetet jashtë BE-së për nga 60 mijë në vit.

Me këtë ligj u ofrohen punëtorëve tri rrugë për të hyrë në Gjermani. Sipas rrugës së parë, kërkohet një diplomë profesionale ose universitare që njihet në Gjermani si dhe një kontratë pune.

Sipas rrugës së dytë, kërkohet përvojë pune për të paktën dy vjet në ndonjë sektor të rëndësishëm si dhe një diplomë ose trajnim profesional.

Rruga e tretë është një “kartelë e mundësive” për individët që nuk kanë ofertë për punë, por kanë potencial për të gjetur punë. Kartela e mundësive vjen pas një sistemi të mbështetur në pikë, i cili i merr parasysh kualifikimet, shkathtësitë gjuhësore, përvojën profesionale, lidhjen me Gjermaninë dhe moshën.

Kabineti miratoi edhe një ligj për arsimin, i cili u mundëson të rinjve që të marrin pjesë në trajnime me pagesë. Agjencia Federale e Punës do të paguajë deri në 67 për qind të pagës neto gjatë kohës së trajnimit.

Kabineti mori vendim për zgjatjen e afatit të rregullave për punëkërkuesit nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilave pritej t’u skadonte afati në fund të vitit. Gjermania do të mund të rekrutojë deri në 50 mijë punëtorë në vit nga këto shtete.

Lajme të ngjashme