Mbretëria e Bashkuar në mungesë të 330 mijë punëtorëve, shkak Brexit - NACIONALE

Mbretëria e Bashkuar në mungesë të 330 mijë punëtorëve, shkak Brexit

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Një grup i top-ekonomistëve kanë thënë se rregullat e imigracionit pas Brexit, kanë çuar në një mungesë prej rreth 330,000 punëtorësh në Mbretërinë e Bashkuar.

Një raport i përbashkët i ‘Mbretëria e Bashkuar në një Evropë në Ndryshim’ dhe i ‘Qendrës për Reforma Evropiane’, ka zbuluar se fundi i lëvizjes së lirë, ‘po kontribuon ndjeshëm’ në mungesat aktuale të fuqisë punëtore në vend.

Studimi ka zbuluar se disa sektorë – përfshirë shitja me pakicë, ndërtimi dhe transporti – janë goditur keq nga humbja e punëtorëve të BE-së pas Brexit.

Sipas The Independent, në raport thuhet se deri në shtator 2022 ka pasur një mungesë të konsiderueshme prej rreth 460,000 punëtorësh me origjinë nga BE, që nuk është kompensuar plotësisht nga rreth 130,000 punëtorë nga jashtë BE-së.

Autorët e studimit kanë thënë se sistemi ishte “shumë i mundimshëm për të kompensuar humbjen e lëvizjes së lirë në sektorët me kualifikim të ulët të ekonomisë, gjë që po kontribuon në mungesën e fuqisë punëtore”.

Ndërkohë, grupet e biznesit në hoteleri, bujqësi dhe ndërtim i kanë bërë thirrje qeverisë që të lehtësojë regjimin e vizave të Brexit-it të bazuar në pikë duke zgjeruar "listën e profesioneve që kanë mungesë".

Bashkautorët e raportit të ri të Brexit, po ashtu kanë thënë se ndryshimet e mëdha në modelet e migracionit ishin "një tipar, jo një problem" i largimit nga BE, duke shtuar se: "Ndikimi afatgjatë në tregun e punës në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë i thellë".

Studiuesit kanë sugjeruar se bizneset që po luftojnë me mungesat e fuqisë punëtore mund të investojnë në një automatizim më të madh. Megjithatë, nga raporti është paralajmëruar se "një kombinim i pagave dhe çmimeve më të larta dhe më pak prodhim ka të ngjarë të jetë i vështirë të automatizohet".

Lajme të ngjashme