Gjermania nënshkruan marrëveshje 15-vjeçare për gaz të lëngëzuar me Katarin - NACIONALE

Gjermania nënshkruan marrëveshje 15-vjeçare për gaz të lëngëzuar me Katarin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Katari do ta furnizojë Gjermaninë me gaz natyror të lëngëzuar sipas një marrëveshjeje 15-vjeçare të nënshkruar të martën, pasi ekonomia më e madhe e Evropës po përpiqet që ta zëvendësojë gazin rus, që i është pakësuar gjatë luftës në Ukrainë.

Zyrtarët nuk e bënë të ditur shifrën në dollarë të marrëveshjes, zbatimi i të cilës do të fillojë nga viti 2026. Sipas këtij pakti, Katari do t’i dërgojë Gjermanisë deri në dy milionë tonë gaz përmes një terminali që është në ndërtim e sipër në Brunsbuettel, raporton agjencia “Associated Press”.

Në këtë marrëveshje janë të përfshira kompania shtetërore e Katarit për energji, “Qatar Energy”, dhe “ConocoPhillips”, që ka aksione në fushën e gazit natyror të Katarit në Gjirin Persik.

Përderisa vendet evropiane e kanë përkrahur Ukrainën pas fillimit të pushtimit rus në shkurt, Moska e ka pakësuar furnizimin e Evropës me gazin që përdoret për t’i ngrohur shtëpitë, për të prodhuar rrymë e për ta mbajtur industrinë e energjisë. Kjo gjë ka krijuar një krizë të energjisë, e cila po i nxit inflacionin e presionin në rritje ndaj kompanive, kur çmimet janë ngritur.

Gjermania, që më shumë se gjysmën e gazit e merrte nga Rusia para fillimit të luftës, nuk ka marrë gaz nga ky shtet që nga fundi i gushtit, përcjell gazeta Nacionale.

Ekonomia më e fuqishme e Evropës është duke ndërtuar pesë terminale të gazit natyror të lëngëzuar si pjesë kyçe e planit të saj për zëvendësimin e gazit rus dhe të parat pritet të futen në funksion së shpejti. Një pjesë e madhe e gazit Gjermanisë tash i vjen nga ose përmes Norvegjisë, Holandës e Belgjikës.

Plani i Gjermanisë për ta shmangur krizën energjetike i përfshin edhe riaktivizimin e përkohshëm të termocentraleve me thëngjill e me karburante dhe zgjatjen e afatit të punës së tri centraleve bërthamore, të cilat ishin planifikuar të nxirreshin nga përdorimi në fundin e këtij viti, deri në mesin e prillit.

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, i cili është përgjegjës edhe për energjinë, e vizitoi Katarin në mars – rreth një muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë – si pjesë e përpjekjes qeveritare për ndryshimin e burimeve të gazit. Kancelari Olaf Scholz e vizitoi këtë shtet në shtator.

Ministri Habeck tha të martën se nuk do të flasë shumë për këtë marrëveshje, sepse, sipas tij, “bisedimet politike janë gjithmonë vetëm bisedime për korniza; kompanitë mbeten në kontakt pas kësaj”.

Lajme të ngjashme