Gjermania i bën thirrje Kinës që ta ushtrojë ndikimin e saj ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të premten në Pekin se Kina duhet ta ushtrojë ndikimin e saj ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kryediplomatja gjermane tha se vizita e fundit në Moskë e presidentit kinez, Xi Jinping, ku ai u takua me homologun rus, Vladimir Putin, tregon qartazi se asnjë shtet nuk ka ndikim më të madh ndaj Rusisë se Kina, raporton televizioni CNN.
“Në mënyrën e njëjtë siç ndërmjetësoi mes Iranit dhe Arabisë Saudite, ne duam që Kina ta shfrytëzojë atë ndikim për ta shtyrë Rusinë që t’i japë fund luftës së saj në Ukrainë”- deklaroi ministrja Baerbock.
Sa i përket çështjes së Tajvanit, ajo tha se ndryshimi i njëanshëm i status-quosë së Ngushticës së Tajvanit përmes forcës është i papranueshëm.
Sipas saj, destabilizimi i Ngushticës së Tajvanit do të kishte pasoja të tmerrshme për ekonominë globale dhe se Gjermania është e shqetësuar për rritjen e tensioneve në Ngushticën e Tajvanit.
“Konfliktet ushtarake në Ngushticën e Tajvanit do të ishin skenar i tmerrshëm dhe i papranueshëm për Evropën. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mos i eskalojnë tensionet në rajon dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”- shtoi zonja Baerbock.
“Ne do të vazhdojmë që ta mbajmë politikën “një Kinë”, por dallimet duhet të zgjidhen përmes mjeteve paqësore. Evropa nuk do ta pranojë ndryshimin e njëanshëm të status-quosë përmes përdorimit të forcës”- tha ministrja gjermane.
Në anën tjetër, homologu kinez, Qin Gang, e përsërit pozicionin e Pekinit për promovimin e bisedimeve të paqes dhe mosofrimin e armëve për asnjë palë në luftën e Ukrainës.
Ministri kinez tha se “pavarësia e Tajvanit dhe paqja nuk mund të ekzistojnë së bashku” dhe se “nëse një shtet thotë se e respekton parimin e një Kine, ai vend duhet ta kundërshtojë pavarësinë e Tajvanit me vendosmëri”.
Ai bëri thirrje që mes Kinës e Gjermanisë të ketë bashkëpunim e jo garë.

