Gjermania e lehtëson procesin për leje të përhershme banimi, ua hap derën specialistëve - NACIONALE

Gjermania e lehtëson procesin për leje të përhershme banimi, ua hap derën specialistëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhjetëra mijëra emigrantë, që me vite kanë jetuar në Gjermani pa leje afatgjate banimi, do të kenë të drejtë të aplikojnë për leje për banim të përhershëm, pasi qeveria gjermane miratoi një ligj të ri të emigrimit të mërkurën.

Rregullat e reja vlejnë për rreth 136.000 persona që kanë jetuar në Gjermani të paktën pesë vjet deri më 1 janar 2022.

Ata që e plotësojnë këtë kriter, mund të aplikojnë fillimisht për leje njëvjeçare të qëndrimit dhe më pas për leje të përhershme. Sidoqoftë, ata duhet të kenë para të mjaftueshme për të bërë jetesë të pavarur në Gjermani, ta flasin gjermanishten dhe të dëshmojnë se janë “të integruar mirë” në shoqëri.

Personat nën moshën 27-vjeçare tashmë mund të aplikojnë për sigurimin e lejes për banim të përhershëm pas banimit për tri vjet në Gjermani, raporton "Associated Press".

“Ne duam që personat që janë të integruar mirë, të kenë mundësi të mira në vendin tonë. Në këtë mënyrë, ne gjithashtu u japim fund burokracisë dhe pasigurisë për njerëzit që tashmë janë bërë pjesë e shoqërisë sonë”, tha ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser.

Legjislacioni i ri do ta lehtësojë edhe mësimin e gjuhës gjermane nga azilkërkuesit. Deri më tani, vetëm ata që kishin gjasa reale për marrjen e azilit mund t’i ndiqnin orët e gjermanishtes. Tani e tutje, të gjithë azilkërkuesit e kanë mundësinë që t’i ndjekin orët e gjermanishtes.

Për punëtorët e kualifikuar, si specialistët e teknologjisë informative dhe personat e tjerë me profesione shumë të nevojshme në Gjermani, rregullat e reja do t’ua mundësojnë vendosjen në Gjermani bashkë me familjet e tyre menjëherë, gjë që nuk ka qenë e mundshme më parë. Familjarët e punëtorëve të kualifikuar nuk kanë nevojë që ta njohin gjermanishten para se të vendosen në këtë shtet.

“Duhet që të tërheqim punëtorë të kualifikuar më shpejt. Kemi nevojë urgjentisht për ta në shumë sektorë. Duam që punëtorët e kualifikuar të vijnë në Gjermani shumë shpejt dhe të bëjnë një bazë këtu”, tha ministrja gjermane.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme