Gjermania do t’ia lejojë policisë rrëzimin e dronëve që janë jashtë kontrollit
Gjermania do t’ia japë policisë kompetencën për të rrëzuar dronë që janë jashtë kontrollit si ata që shkaktuan pengesa në disa aeroporte evropiane. Sipas disa udhëheqësve evropianë, këta dronë ishin pjesë e një lufte hibride që po zhvillohet nga Rusia.
Ligji i ri, për të cilin kabineti u pajtua të mërkurën dhe për të cilin po pritet miratimi parlamentar, e autorizon policinë në mënyrë eksplicite që t’i rrëzojë dronët që e shkelin hapësirën ajrore të vendit, përfshirë lejimin e rrëzimit të tyre në rastet e rrezikut akut ose dëmit serioz.
Në mesin e teknikave të tjera të qasshme për të rrëzuar dronë përfshihen përdorimi i laserëve ose sinjaleve penguese për shkëputjen e lidhjeve të kontrollit dhe drejtimit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ligji i ri vjen pasi dhjetëra fluturime u devijuan ose u anuluan të premten e kaluar në Aeroportin e Munihut, i dyti më i madhi në Gjermani, duke lënë në pritje më shumë se 10 mijë pasagjerë, pasi afër aeroportit u panë dronë të paidentifikuar.
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka thënë se ai supozon që Rusia qëndron prapa shumë prej fluturimeve të dronëve mbi territorin gjerman fundjavën e kaluar, por se asnjëra prej atyre pajisjeve nuk ishte e armatosur, por bëhej fjalë për fluturime zbulimi.
Krerët e BE-së po e shohin Rusinë si kërcënim kryesor ndaj sigurisë së kontinentit pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, muajin e kaluar bëri thirrje për ndërtimin e atij që e quajti mur dronësh – rrjet sensorësh e armësh për zbulimin, përcjelljen dhe neutralizimin e dronëve që e shkelin hapësirën ajrore të vendeve – me qëllim të mbrojtjes së krahut lindor të Evropës.
Megjithatë, disa thonë se dronët e përfshirë në incidentet e shfaqura rishtazi mund të jenë lëshuar edhe nga pjesa e brendshme e territorit të BE-së, transmeton gazeta "Nacionale".
Me ligjin e ri, Gjermania do t’u bashkohet shteteve evropiane që rishtazi u kanë dhënë kompetenca forcave të sigurisë për t’i rrëzuar dronët që e shkelin hapësirën ajrore. Në këtë grup janë Britania, Franca, Lituania e Rumania.