Gjermania dislokon pesë aeroplanë “Eurofighter” në Poloni pas hyrjes së dronëve rusë
Gjermania ka dislokuar pesë aeroplanë luftarakë të tipit “Eurofighter” dhe rreth 150 pjesëtarë të personelit ushtarak në qytezën polake Malbork për ta ndihmuar sigurimin e hapësirës ajrore të fqinjit lindor, tha të enjten forca ajrore gjermane, si kundërpërgjigje ndaj hyrjes së dronëve rusë në shtator.
Aeroplanë luftarakë polakë të tipit F-16, aeroplanë luftarakë holandezë të tipit F-35, aeroplanë vëzhgues italianë AWACS si dhe aeroplanë të NATO-s për rimbushje me karburant në ajër ishin ngritur në qiell në një operacion për t’i rrëzuar dronët që kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë në mesin e shtatorit.
Kjo ishte hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s dihej se kishte shtënë gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Moska e ka mohuar përgjegjësinë në incident.
Aeroplanët “Eurofighter” të ushtrisë gjermane po operojnë si pjesë e misionit të Rojës Lindore të NATO-s dhe do të mbeten të stacionuar në Malbork, rreth 60 kilometra larg qytetit Gdansk dhe 80 kilometra larg enklavës ruse të armatosur rëndë, Kaliningrad, deri në marsin e vitit të ardhshëm, sipas forcave ajrore gjermane.
“Me misionin tonë, ne do të dërgojmë një porosi tjetër të fortë të mbështetjes për fqinjën tonë, Poloninë, dhe NATO-n në përgjithësi” – tha komandanti i Forcës Ajrore të Gjermanisë, Holger Neumann.
Gjermania ka dislokuar aeroplanë luftarakë “Eurofighter” edhe në Rumani si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për ta fuqizuar krahun lindor të aleancës në kohën e rritjes së tensioneve me Rusinë.