Gjermania dhe Franca me deklaratë të përbashkët solidariteti për energjinë - NACIONALE

Gjermania dhe Franca me deklaratë të përbashkët solidariteti për energjinë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Gjermania dhe Franca kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të forcuar solidaritetin energjetik, njoftuan kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja franceze Élisabeth Borne të premten në një konferencë për shtyp në Berlin.

"Miqtë qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në kohë nevoje," është shprehur Scholz para gazetarëve gjatë vizitës inauguruese të Borne në kryeqytetin gjerman.

Ai më tej ka shtuar se, "Gjermania dhe Franca janë shembull i solidaritetit të përbashkët evropian".

Ndërkohë, lidhur me deklaratën, Borne ka thënë se, “është një tekst i rëndësishëm që do të ketë efekte konkrete dhe do të mbrojë qytetarët në të dy vendet”.

"Dy vendet tona kanë nevojë për njëra-tjetrën për të kapërcyer krizën energjetike dimrin e ardhshëm," ka thënë ajo.

Kujtojmë se, marrëdhëniet midis dy vendeve janë acaruar muajt e fundit për shkak të qëndrimeve të ndryshme për çështje kyçe, si energjia, mbrojtja dhe politikat industriale. Ndërsa, udhëtimi i Borne në Berlin shihet si një përpjekje për të rindezur marrëdhëniet.

Scholz po ashtu ka përsëritur mbështetjen e Gjermanisë e Francës ndaj Ukrainës duke i bërë thirrje Rusisë për të ndaluar bombardimin e infrastrukturës kritike të Ukrainës.

Duket se, me eksportet ruse të qymyrit, naftës dhe gazit natyror që kanë rënë ndjeshëm që nga pushtimi i Ukrainës, Evropa po shkon drejt thyerjes së varësisë së saj energjetike nga Moska.

Megjithatë, sipas raportimeve të CNN, importet evropiane të një lloji kyç të gazit natyror rus janë rritur dhe mbeten kritike për plotësimin e nevojave për energji.

Lajme të ngjashme