Gjenerali ukrainas njoftoi se sa raketa ka ende Rusia
Zëvendësdrejtori i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës pohon se Rusia po përdor raketa të vjetra ukrainase për të sulmuar infrastrukturën energjetike dhe se forcat ruse kanë mjaft raketa për tre deri në pesë sulme të tjera raketore në shkallë të gjerë në Ukrainë.
Mbetjet e raketave, të cilat u ndërtuan në një fabrikë armësh në Ukrainë dhe iu dorëzuan Rusisë në vitet 1990 si pjesë e një marrëveshjeje që garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, u gjetën në rrënoja pas sulmeve të fundit të mëdha raketore ruse në të gjithë Ukrainën në muajin tetor, tha Vadim Skibicki, nënkryetari i agjencive të inteligjencës ushtarake ukrainase.
Stoku i raketave moderne të drejtuara me saktësi të Rusisë besohet prej kohësh të jetë në mbarim. Skibicki thotë se që nga fillimi i luftës, fabrikat ruse të armëve kanë prodhuar rreth 240 raketa precize Kh-101 dhe rreth 120 raketa lundrimi Kalibr, të cilat rusët i lëshojnë nga deti.
Ata lëshojnë raketa nga katër drejtime
Duke folur për New York Times, Skibicki dha një vlerësim për aftësitë aktuale raketore të Rusisë: Sipas llogaritjeve tona, rusët kanë raketa për tre deri në pesë valë të tjera sulmesh. Kjo është nëse numërojmë 80 deri në 90 raketa në një valë.
Ai gjithashtu theksoi se forcat ruse po lëshojnë raketa në Ukrainë nga katër drejtime: Nga Deti i Zi në jug, nga Deti Kaspik në juglindje, nga Rusia në lindje dhe nga Bjellorusia në veri. /Nacionale/