Gjenerali i lartë amerikan, Michael Kurilla, udhëton drejt Izraelit
Komandanti i Komandës Qendrore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Michael “Erik” Kurilla, bëri një vizitë të paparalajmëruar të martën në Izrael, duke thënë se shpreson që të sigurohet se ushtria e këtij vendi i ka ato që i nevojiten gjatë ballafaqimit me Hamasin.
Vizita e oficerit të lartë ushtarak është më e reja në vargun e vizitave të profilit të lartë të zyrtarëve të ShBA-së në Izrael para një ofensive të pritshme tokësore të ushtrisë izraelite në Gaza. Kjo vizitë erdhi vetëm një ditë para se në Izrael të shkojë vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Ushtria amerikane është duke e shtuar fuqinë e zjarrit në rajon, me synim që ta parandalojë përfshirjen e Iranit dhe të grupeve të mbështetura prej tij në konflikt, përderisa po rritet frika e komunitetit ndërkombëtar për mundësinë e një lufte më të gjerë rajonale, raporton agjencia “Reuters”.
Pentagoni po dërgon me ngut armë në Izrael, përfshirë municionin e sistemet e mbrojtjes ajrore.
“Jam këtu për t’u siguruar që Izraeli e ka atë që i nevojitet për ta mbrojtur veten, sidomos duke u përqendruar në shmangien e zgjerimit të konfliktit nga palët e tjera”- i tha Kurilla ekipit të agjencisë “Reuters”, që është duke udhëtuar me të, para aterrimit të aeroplanit në Izrael.
Një zyrtar amerikan i tha agjencisë se Kurilla planifikon që të takohet me zyrtarë të nivelit të lartë ushtarak në Izraeli për të siguruar të dhëna për së afërmi për kërkesat e mbrojtjes së Izraelit.
Uashingtoni ka dislokuar një grup sulmues me aeroplanmbajtëse në pjesën lindore të Detit Mesdhe dhe do të dërgojë edhe një aeroplanmbajtëse tjetër në rajon gjatë ditëve të ardhshme. Administrata e Bidenit ka thënë se këto veprime po bëhen me qëllim të parandalimit e jo si provokim.
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një rrjet bazash në Lindje të Mesme me trupa, aeroplanë luftarakë e luftanije.
Një zyrtar amerikan tha të hënën se ShBA-a ka njoftuar disa trupa, me gjasë dy mijë, që të jenë të gatshëm për dislokim brenda 24 orëve – në vend të periudhës së zakonshme prej 96 orësh – në rast se marrin njoftim për angazhim.
