Gjenden rreth 60 kufoma në një spital në Tripoli të Libisë
Të paktën 58 kufoma të paidentifikuara u gjetën të hënën në një spital në Tripoli të Libisë që ishte nën kontrollin e një grupi militant, udhëheqësi i të cilit u vra javën e kaluar, tha Ministria e Brendshme.
Kufomat u gjetën në një frigorifer morgu në spitalin e aksidenteve “Abu Salim”, në lagjen Abu Salim me popullsi të dendur, pas një raporti nga spitali, thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.
Ministria e Brendshme publikoi fotografi të kufomave me numra dhe fytyra të mbuluara. Aty shfaqeshin mbetjet me shkallë të ndryshme të dekompozimit. Disa ishin të djegura. Ka filluar një hetim për ta zbuluar identitetin e të vdekurve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Deri më tani, 23 trupa janë ekzaminuar dhe të gjitha procedurat e nevojshme ligjore janë ndërmarrë, përfshirë dokumentimin e të dhënave dhe mbledhjen e mostrave” – thuhet më tej në deklaratë.
Në Abu Salim ndodhej grupi militant i njohur si Aparati për Mbështetjen e Stabilizimit (SSA), udhëheqësi i të cilit, Abdulghani Kikli, i njohur gjerësisht si Ghaniwa, u vra në rrethana të pakonfirmuara të hënën e kaluar.
Vrasja e tij çoi në humbjen e papritur të SSA-së nga grupe të rreshtuara me Qeverinë e Unitetit Kombëtar të kryeministrit Abdulhamid al-Dbeibah, e cila njihet nga komuniteti ndërkombëtar.
Të martën, kryeministri Dbeibah urdhëroi që grupet e armatosura të shpërbëhen, duke i nxitur përleshjet më të ashpra në Tripoli në disa vjet mes dy grupeve të armatosura. Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën tetë civilë mbetën të vrarë gjatë luftimeve./Nacionale