Gjashtë të vdekur e 15 të ngujuar nga shembja e një miniere ari në Zimbabve
Gjashtë persona kanë vdekur dhe 15 të tjerë kanë mbetur të ngujuar pas shembjes së një miniere në Zimbabve, raportojnë mediat shtetërore.
Shembja e minierës së arit “Bay Horse” në Chegutu, 100 kilometra në perëndim të kryeqytetit Harare të premten në mëngjes la më shumë se 30 persona të ngujuar.
Thuhet se 13 minatorë kanë arritur të dalin ose janë shpëtuar, raporton televizioni BBC.
Televizioni ZBC raporton se po vazhdojnë përpjekjet për t’i shpëtuar minatorët që ende ndodhen nën tokë. Nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar shembjen e minierës.
Shoqata e Minatorëve të Zimbabvesë tha se sekretari i përgjithshëm i saj dhe drejtori i Shoqatës së Minatorëve të Chegutu-s do të shkonin në vend të ngjarjes për të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.
Aksidentet në minierat e Zimbabvesë – shtet që ka rezerva të mëdha të arit, platinit dhe diamanteve – nuk janë të rralla. Metodat e mihjes janë shpesh të thjeshta dhe standardet e sigurisë shpërfillen me të madhe.
Në vitin 2019, dhjetëra minatorë ishin mbytur në ujë, pasi disa miniera ishin vërshuar nga uji i reshjeve të shiut afër qytezës Kadoma, në pjesën qendrore të shtetit.
