Gjasat për fitoren e Erdoganit e godasin tregun në Turqi, bie vlera e aksioneve të bankave
Goditja ndaj tregut në Turqi u thellua të martën, pasi investitorët po presin që presidenti Rexhep Erdogan mund të fitojë një mandat të ri në balotazh, duke i vazhduar edhe politikat e pazakonshme ekonomike.
Rezervat bankare dhe letrat me vlerë në dollarë shënuan rënie për të dytën ditë radhazi, ndërsa kostoja e sigurimit të shpërfaqjes ndaj borxhit turk u rrit, pasi Erdogani doli i pari në rundin e parë të zgjedhjeve, duke marrë pak nën 50 për qind të votave, dukshëm më shumë se rivali kryesor, Kemal Kilicdaroglu, me të cilin do të ballafaqohet në balotazh më 28 maj.
“Tregjet tani po reagojnë ndaj faktit se ndoshta do të kemi kthim në administratën e mëparshme dhe vazhdim të politikave që e kanë bërë Turqinë pothuajse të painvestueshme, përderisa bëhet fjalë për menaxherët e fondeve perëndimore”- tha drejtori menaxhues i strategjisë makro të tregut në “TS Lombard”, Jon Harrison.
Rezervat bankare, vlera e të cilave u rrit për 26 për qind në javën para zgjedhjeve, u mbyllën me gati 8 për qind më pak të martën, për t’i çuar humbjet dyditore në gati 17 për qind, raporton agjencia "Reuters".
Vlera e aksioneve të bankave “Yapi Kredi”, “Is Bank”, dhe “Akbank” ra për më shumë se 9 për qind.
Megjithatë, vlera e aksioneve në kompaninë minerare “Koza Madencilik” dhe në prodhuesin e çelikut “Kardemir” u rrit për gati 10 për qind.
