Zor për opozitën në Turqi, analistët presin që votuesit e kandidatit të tretë ta përkrahin Erdoganin
Edhe pse anketat kishin parashikuar epërsi të opozitës në zgjedhjet e Turqisë, në fund ndodhi e kundërta. Presidenti turk, Rexhep Erdogan, siguroi epërsi prej 5 për qind ndaj kundërshtarit kryesor, duke e pritur ballafaqimin në balotazh. A ka gjasë opozita që ta përmbysë rezultatin?
Kandidati që e zuri vendin e tretë në rundin e parë, politikani i së djathtës ekstreme, Sinan Ogan, mori rreth 5 për qind të votave, të cilat mund të jenë vendimtare në rundin e dytë, raporton televizioni CNN.
Ogani e ka kushtëzuar përkrahjen për ndonjërin prej kandidatëve me ashpërsimin e politikave ndaj refugjatëve dhe ndaj disa grupeve kurde që i cilëson si terroriste.
“Kur të kemi një vendim (për përkrahjen), natyrisht se do t’ua ofrojmë atë të dyja palëve. Mund të jetë Erdogani. Mund të jetë Kilicdaroglu. Nuk kemi një vendim të qartë për momentin”- tha Ogani të hënën.
“Ajo për të cilën po mendojmë është që të gjitha partitë politike duhet t’i përjashtojnë organizatat terroriste. Nuk jemi të detyruar që t’ia japim përkrahjen asnjërës parti, nuk ekziston një rregull e tillë”- shtoi ai.
Megjithatë, analistët parashikojnë se përkrahësit ultranacionalistë të Oganit me më shumë gjasë do ta votojnë Erdoganin në balotazh. Partia e presidentit e ka siguruar bllokun më të madh parlamentar nga zgjedhjet e së dielës.
Kjo e lë opozitën në përballje me një të përpjetë për të fituar në rundin e dytë, edhe pse Kilicdaroglu tingëlloi optimist të hënën. “Betohem se do të luftoj deri në fund. Unë jam këtu”- tha ai në një video të publikuar në rrjete sociale.
Mes tjerash, rezultatet e zgjedhjeve e shpërfaqën aftësinë e kufizuar të opozitës për të përfituar nga pakënaqësia e turqve për shkak të krizës ekonomike dhe, në pjesën juglindore, për shkak të tërmetit shkatërrues dhe reagimit të autoriteteve pas fatkeqësisë.
“Njerëzit bëjnë gabime dhe duhet t’i duash njerëzit pavarësisht nga gabimet e tyre”- tha zonja Nuray Canpolat afër tendës së saj në bastionin e Erdoganit, Kahramanmarash, që ishte epiqendër e tërmetit në shkurt.
“Së pari, Zoti na ruan. Pastaj, presidenti ynë, Erdogan, na ruan”- shtoi ajo.
Para rundit të dytë, Erdogani tani ka dy javë për ta shpëtuar veten dhe të gjithë treguesit janë që ai do të fillojë këtë, si gjithmonë, nga një vend i fuqisë.

