George Soros: Pushtimi i Ukrainës mund të jetë fillimi i "Luftës së Tretë Botërore"
Filantropisti veteran tha për Forumin Ekonomik Botëror se civilizimi ‘mund të mos i mbijetojë’ asaj që po vjen
Pushtimi rus i Ukrainës kërcënon të jetë "fillimi i Luftës së Tretë Botërore" që mund të shënojë fundin e qytetërimit, ka paralajmëruar filantropisti veteran dhe ish-financieri George Soros.
Duke sulmuar egër Vladimir Putinin dhe Xi Jinping në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Soros paralajmëroi se regjimet autokratike ishin në rritje dhe ekonomia globale po shkonte drejt një depresioni.
Soros, i cili është bërë një figurë e urrejtjes për të djathtën në ShBA, pati kritika të ashpra edhe për ish-kancelaren gjermane Angela Merkel - për rehatinë e saj ndaj Moskës dhe Pekinit.
Soros, në Davos e ngriti retorikën e zymtë në lartësi të reja.
Ai tha se, “pushtimi mund të jetë fillimi i Luftës së Tretë Botërore dhe qytetërimi ynë mund të mos i mbijetojë asaj."
"Pushtimi i Ukrainës nuk doli nga e para. Bota ka qenë gjithnjë e më shumë e përfshirë në një luftë midis dy sistemeve të qeverisjes që janë të kundërta me njëra-tjetrën: shoqëria e hapur dhe shoqëria e mbyllur”.
Ish-pronari 91-vjeçar i fondit mbrojtës tha se pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në ShBA në vitin 2001, rryma kishte filluar të kthehej kundër shoqërive të hapura.
“Regjimet represive janë tani në rritje dhe shoqëritë e hapura janë nën rrethim. Sot Kina dhe Rusia paraqesin kërcënimin më të madh për shoqërinë e hapur.”
Ndër të tjera, Soros tha se Evropa i ishte përgjigjur mirë krizës së shkaktuar nga pushtimi i Rusisë.
“Do të duhet shumë kohë për të përpunuar detajet, por Evropa duket se po lëviz në drejtimin e duhur. Ajo i është përgjigjur pushtimit të Ukrainës me shpejtësi, unitet dhe vrull më të madh se kurrë më parë në historinë e saj.”
Soros po ashtu tha se Putini e kishte folur me Xi pushtimin rus në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit në fillim të shkurtit. Por ai këmbënguli se udhëheqësi kinez nuk ishte aq i fortë sa ai besonte.
Më tej Soros, shtoi se, “ndërsa lufta tërbohet, lufta kundër ndryshimeve klimatike duhet të zërë vendin e dytë. Megjithatë, ekspertët thonë se ne tashmë kemi mbetur shumë prapa dhe ndryshimi i klimës është në prag të bëhet i pakthyeshëm. Ky mund të jetë fundi i qytetërimit tonë. Prandaj, ne duhet të mobilizojmë të gjitha burimet tona për ta çuar luftën në një fund të hershëm. Mënyra më e mirë dhe ndoshta e vetmja për të ruajtur qytetërimin tonë është të mposhtim Putinin sa më shpejt të jetë e mundur.”