Gazetari i BBC-së që vdiq dje ishte shpërblyer për raportimin gjatë luftës në Kosovë
Gazetari i njohur i BBC-së, George Alagiah, i cili vdiq të hënën pas një lufte të gjatë me kancerin në moshën 67-vjeçare, në mesin e shumë shpërblimeve kishte edhe një për raportimin e tij gjatë luftës në Kosovë.
Alagiah e kishte nisur punën në BBC që në vitin 1989 dhe ishte njëri ndër korrespondentët kryesorë të televizionit publik britanik jashtë vendit, duke raportuar për disa konflikte në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë gjenocidin në Ruandë e luftërat civile në Afrikë, raporton “Daily Mail”.
Veterani i gazetarisë ishte lindur më 1955 në kryeqytetin e Sri-Lankës, Kolombo, kur qyteti ende konsiderohej pjesë e territorit britanik të Ceilonit.
Familja e tij ishte vendosur në Ganë, kur Alagiah ishte 6-vjeçar, për të ikur nga dhuna kundër tamilëve, që udhëhiqej nga deputetët që e kundërshtonin bërjen e gjuhës së këtij grupi gjuhë administrative në lindje dhe veri të Sri-Lankës.
Ai ishte pjesë e një ekipi të BBC-së që në vitin 2000 fituan një Çmim Bafta për raportimin e tyre rreth luftës në Kosovë.
Gjatë mbulimit të cunamit aziatik më 2004 nga BBC-ja, ai ishte kthyer në atdhe dhe e kishte gjetur të shkatërruar nga moti i lig ish-shtëpinë e gjyshit.
Alagiah ishte diagnostikuar me kancer në fazë të katërt në zorrë në prillin e vitit 2014 para se ta përfundonte trajtimin në tetorin e vitti 2015 e të kthehej para ekranit një muaj më vonë.
Shëndeti i tij mori përsëri vëmendje në marsin e vitit 2020, kur ai kishte dalë pozitiv në testin për koronavirus. Alagiah ishte kthyer në punë në prillin e vitit të kaluar para se të largohej përsëri në tetor, pasi kishte marrë vesh se kanceri i ishte shpërndarë në mushkëri dhe në nyja limfatike.
Gazetari kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë në Ganë, ndërsa më pas familja e tij ishte vendosur në Angli, kur Alagiah ishte 11 vjeç. “Në kokën time, unë ndihesha si emigrant”- kishte thënë më vonë gazetari.