Gallant: Zëvendësuesi i Nasrallahut ndoshta u vra javën e kaluar
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë se zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddine, që ishte në vijë për ta zëvendësuar udhëheqësin e vrarë të grupit, Hassan Nasrallah, me gjasë u vra gjatë një sulmi javën e kaluar në Bejrut.
“Hezbollahu është organizatë pa udhëheqës, Nasrallahu u eliminua, zëvendësimi i tij ndoshta gjithashtu u eliminua. Kjo ka efekt dramatic ndaj gjithçkaje që ndodh. Nuk është askush për të marrë vendime, askush për të vepruar” – tha ministri izraelit gjatë një vizite në Komandën Veriore të ushtrisë izraelite, duke shtuar se kapacitetet e zjarrit të Hezbollahut gjithashtu kanë pësuar një goditje të rëndë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Veprimet që jemi duke i ndërmarrë po vëzhgohen në mbarë Lindjen e Mesme. Kur tymi në Liban të hiqet, ata do të kuptojnë në Iran se e kanë humbur pasurinë e tyre më të çmuar, që është Hezbollahu” – shtoi Gallanti.
Në orët e fundit, ushtria izraelite tha se krey disa sulme kundër ndërtesave të Hezbollahut dhe pikave për hedhjen e raketave në jug të Libanit.
Gjatë natës së kaluar, ushtria tha se goditi një depo armësh dhe një qendër tjetër të Hezbollahut në Bejrut, ndërsa mbrëmë, ushtria tha se një sulm me dron u krye në një shkollë në Tayr Harfa, në jug të Libanit, ku ishte vërejtur një grup i operativëve të Hezbollahut.
Më shumë rreth sulmeve të javës së kaluar:
Izraeli e vë në shënjestër me sulme pasardhësin e mundshëm të Nasrallahut, Safieddine