Izraeli e vë në shënjestër me sulme pasardhësin e mundshëm të Nasrallahut, Safieddine - NACIONALE

Izraeli e vë në shënjestër me sulme pasardhësin e mundshëm të Nasrallahut, Safieddine

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aeroplanët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore intensive rreth mesnatës të enjten në përpjekje për ta vënë në shënjestër Hashem Safieddine, kushëri dhe pasardhës i mundshëm i udhëheqësit tashmë të vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, sipas tre zyrtarëve izraelitë.

Ky bombardim ishte ndër më të ashprit në atë zonë që nga vrasja e Nasrallahut nga Izraeli, por nuk ishte e qartë nëse Safieddine, që supozohej se ishte në një takim të zyrtarëve të lartë të Hezbollahut, është vrarë nga sulmet ajrore, thanë zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, raporton gazeta “The New York Times”.

Vrasja në tentativë ishte lëvizja më e re nga Izraeli në synimin për eliminimin e vazhdueshëm të udhëheqësve të Hezbollahut.

Kush është Hashem Safieddine?

I lindur në fillim të viteve të gjashtëdhjeta në jug të Libanit, Safieddine ishte njëri nga anëtarët më të hershëm të Hezbollahut. Ai u bë pjesë pas themelimit të grupit shiit në të tetëdhjetat, me udhëzime nga Irani, gjatë luftës së gjatë civile të Libanit. Ai u ngrit shpejt në rangje bashkë me Nasrallahun, duke luajtur shumë role e duke shërbyer si udhëheqës politik, shpirtëror e kulturor, si dhe duke i udhëhequr aktivitetet ushtarake të grupit për ca kohë.

Të dhënat biografike të raportuara në media të ndryshme në Lindje të Mesme dhe Turqi paraqesin një ngritje të shpejtë të tij në rangjet e Hezbollahut. Më 1995, ai ishte ngritur në detyrë, duke u bërë pjesë e këshillit më të lartë të Hezbollahut, Asamblesë Këshilluese, dhe shpejt ishte emëruar si drejtor i Këshillit Jihadi, që i kontrollon aktivitetet ushtarake të Hezbollahut.

Vetëm tre vjet më vonë, më 1998, Safieddine ishte zgjedhur si udhëheqës i Këshillit Ekzekutiv, pozitë që gjithashtu ishte mbajtur dy herë nga Nasrallahu.

Njësoj si Nasrallahu, edhe Safieddine ka studiuar në Iran. Ai ndërtoi lidhje të forta me Teheranin gjatë studimeve religjioze në qytetin Qom, para se të kthehej në Liban për të punuar për Hezbollahun.

Këto lidhje janë gjithashtu thellësisht personale. Ai ishte mik i ngushtë i Qassim Suleimanit, iranian që e kishte komanduar Forcën Kuds të Rojave Revolucionare deri në vrasjen e tij nga Shtetet e Bashkuara përmes një sulmi ajror në Bagdad në vitin 2020.

Në maj të vitit 2017, Safieddine u fut në listën e terroristëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite për shkak të rolit të tij udhëheqës në Hezbollah. Atë kohë, Departamenti i Shtetit i ShBA-së e kishte quajtur “udhëheqës i lartë” në Këshillin Ekzekutiv të Hezbollahut, që i mbikëqyr “aktivitetet politike, organizuese, sociale dhe edukative” të grupit.

Lajme të ngjashme