“Fyerje” ndaj Trumpit, ShBA-ja i ndërpret kontaktet me kryetarin e Kuvendit të Polonisë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Varshavë të enjten i ndërpreu kontaktet me kryetarin e Kuvendit të Polonisë, Wlodzimierz Czarzasty, duke e akuzuar se e kishte fyer presidentin Donald Trump, pasi polaku i kishte kritikuar politikat e kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe kishte refuzuar që ta mbështeste ambicien e tij për Çmimin Nobel për Paqe.
Kundërpërgjigjja e ashpër e ambasadorit Tom Rose ndaj kryetarit të Kuvendit të Polonisë e nënvizoi detyrën e pasigurt të baraspeshimit me të cilën ballafaqohen politikanët e koalicionit qeveritar pro-evropian në Poloni për ta mbajtur pas vetes aleatin kryesor, përderisa Trumpi po i ndjek politikat e rrymës “Amerika e Para”, të cilat shumë politikanëve polakë në pushtet u duken shqetësuese, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përplasja e tensionuar në rrjetin X nxiti edhe një reagim nga kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.
“Z. ambasador Rose, aleatët duhet ta respektojnë njëri-tjetrin, jo ta mësojnë njëri-tjetrin. Të paktën kështu e kuptojmë ne në Poloni partneritetin” – shkroi Tusku.
Diskutimi gjithashtu i vuri në pah dallimet mes qeverisë së Tuskut dhe opozitës nacionaliste shumë më shumë pro rrymës MAGA e presidentit Karol Nawrocki.
“Koalicioni i tanishëm në pushtet zgjodhi për kryetar të Kuvendit një njeri që nuk e kupton rëndësinë dhe peshën e aleancave” – tha zëdhënësi i presidentit polak, Rafal Leskiewicz.
Kryetari i Kuvendit të Polonisë të hënën tha se nuk do të mbështeste një nismë të çuar përpara nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Mike JOhnson, dhe kryetari i Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana, për t’i nxitur kryetarët e kuvendeve që ta nominojnë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2026 për përpjekjet e tij që të sjellë paqe në Lindjen e Mesme.
Prezydent Trump nie zasługuje na Pokojową Nagrodę Nobla. pic.twitter.com/Qx5OUOazEA
— Włodzimierz Czarzasty 📚📖 (@wlodekczarzasty) February 2, 2026
“Sipas mendimit tim, presidenti Trump po e destabilizon situatën në këto organizata [ndërkombëtare] duke e përfaqësuar politikën e forcës dhe duke e përdorur forcën për të ndjekur një politikë transaksionale” – tha para gazetarëve Czarzasty.
“E tërë kjo nënkupton se unë nuk do ta mbështes nominimin e presidentit Trump për Çmimin Nobel, sepse ai nuk e meriton atë” – shtoi ai.
Ambasadori amerikan iu kundërpërgjigj kryetarit të Kuvendit të Polonisë të enjten, duke thënë se Uashingtoni nuk do të ketë më kontakte apo komunikim me të dhe se një gjë e tillë hyn në fuqi menjëherë.
“Ne nuk do ta lejojmë askënd që t’i dëmtojë marrëdhëniet ShBA – Poloni, e as të mos e respektojë [Trumpin], i cili ka bërë aq shumë për Poloninë dhe popullin polak” – shkroi Rose.
Czarzasty u përgjigj në rrjetin X duke thënë se i vjen keq për reagimin e ambasadorit amerikan, por se ai nuk do ta ndryshojë pozicionin rreth çështjeve fundamentale./Nacionale