FSB-ja ruse pretendon se sulmuesit e Moskës kishin kontakte me Ukrainën
Agjencia ruse e sigurisë, FSB, ka thënë se sulmuesit e dyshuar që janë ndaluar në rajonin Briansk më herët në mëngjes “synonin që të kalonin në Ukrainë” dhe kishin “kontakte në anën ukrainase”, raporton agjencia shtetërore e lajmeve, “Ria Novosti”, përcjell televizioni BBC.
Ishte gjerësisht e pritshme që Rusia do të mundohej që ta ndërlidhë Ukrainën me sulmin afër Moskës dhe pretendimi i FSB-së në këtë fazë nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur, thekson televizioni britanik.
Kur doli lajmi për sulmin e së premtes mbrëma, Mykhailo Podolyak – këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky – kategorikisht e mohoi përfshirjen e Ukrainës, duke thënë se vendi i tij “nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me këto ngjarje”.
Rusia e nisi pushtimin e shkallës së plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe është duke luftuar me vendin fqinj nga ajo kohë.
Autoritetet ruse kanë thënë se kanë ndaluar 11 persona, përfshirë katër që, sipas rusëve, ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e së premtes.
Disa udhëheqës perëndimorë e kanë dënuar sulmin në sallën e koncerteve në Rusi.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, u shprehi ngushëllime familjeve të viktimave. “Asgjë asnjëherë nuk mund të justifikojë dhunë të tillë të tmerrshme” – tha ai.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha: “Ne e dënojmë sulmin e tmerrshëm terrorist ndaj vizitorëve të pafajshëm të koncertit në Moskë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të gjithë të lënduarit.”