Frikë për konflikt të plotë izraelito-palestinez pas vitit më të përgjakshëm që nga 2005-a
Të dielën vonë në mbrëmje, si pothuajse çdo natë tjetër në Jenin, luftimet filluan. Ushtria izraelite tha se hyri në qytetin e Bregut të pushtuar Perëndimor për të arrestuar tre terroristë të dyshuar palestinezë dhe militantët u kundërpërgjigjën duke hedhur bomba zjarri e duke hapur zjarr.
Sipas dy anëtarëve të familjes së saj, 16-vjeçarja Jana Zakaran e mori guximin për të dalë mbi kulmin e shtëpisë së saj, kur shpërthyen të shtënat, për ta marrë macen e për ta vendosur në vend të sigurt. Kur babai i saj shkoi për ta kërkuar, e gjeti të vdekur në një pellg gjaku, ndërsa macja ishte pranë saj.
Në një rast të rrallë të pranimit të gabimeve, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se adoleshentja është qëlluar gabimisht nga një snajper, shkruan “The Guardian”, përcjell gazeta “Nacionale”.
“Ajo u vra me gjakftohtësi nga izraelitët. Ishte e vetme në kulm”- tha xhaxhai i vajzës, Majed Zakaran. “Ishte vetëm një fëmijë dhe ata e qëlluan katër herë në kokë dhe në gjoks”- shtoi ai.
Jana është viktima më e re e vitit më të përgjakshëm në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem që nga përfundimi i kryengritjes së dytë të palestinezëve më 2005. Rreth 150 palestinezë janë vrarë, shumica në lidhje me një ofensivë të madhe të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit të përqendruar kryesisht në Jenin dhe në Nablus. Gazetarja e mirënjohur e televizionit “Al Jazeera”, Shireen Abu Akleh, u qëllua për vdekje gjatë raportimit për një bastisje në kampin e refugjatëve në Jenin në maj.
Luftimet janë duke u zhvilluar nga marsi, duke e bërë këtë njërin ndër operacionet më të mëdha të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit jashtë periudhës së luftës. Në Rripin e bllokuar të Gazës në gusht, 49 palestinezë të tjerë vdiqën gjatë një fushate të befasishme treditore izraelite të bombardimeve. Në anën tjetër, 30 izraelitë janë vrarë nga sulmet terroriste palestineze – më së shumti që nga viti 2008.
Zhvillimet politike po i hedhin benzinë zjarrit. Pas 16 vjetëve pa zgjedhje, Autoriteti Palestinez, që kontroll disa pjesë të Bregut Perëndimor, shihet nga shumica e popullsisë si i korruptuar dhe i pafuqi. Presidenti i moshuar, Mahmoud Abbas, ka shëndet të dobët dhe nuk e ka emëruar zyrtarisht pasardhësin e tij. Dobësimi ose vdekja e tij besohet se do ta destabilizonte më tej situatën.
Sidoqoftë, dukuria më shqetësuese është rritja e së djathtës ekstreme në Izrael. Në zgjedhjet e nëntorit, Zionistët Religjiozë, parti ekstremiste anti-arabe në bllokun e koalicionit të ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu, arriti që të merrte më shumë se dyfishin e ulëseve, duke e shtyrë Netanyahun përsëri drejt pushtetit.
Kryetari i kësaj partie, Bezalel Smotrich, bashkë me kryetarin e partisë së të djathtës ekstreme, Otzma Yehudit, Itamar Ben-Gvir, do të marrin pozita të rëndësishme qeveritare në qeverinë e ardhshme, duke siguruar pushtet të gjerë mbi policinë e izraelit dhe kontroll mbi procesin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor, për të cilat ata janë të sigurt se duhet të përshpejtohen.

