Frikë nga katastrofa bërthamore, Polonia e fillon shpërndarjen e tabletave të jodit - NACIONALE

Frikë nga katastrofa bërthamore, Polonia e fillon shpërndarjen e tabletave të jodit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Polonia, e shqetësuar për luftimet përreth centralit bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës, ka shpërndarë tableta të jodit në departamentet rajonale të zjarrfikësve për t’ua dhënë njerëzve në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit, tha të enjten një zëvendësministër polak.

Jodi konsiderohet si mënyrë për ta mbrojtur trupin nga sëmundjet si kanceri i tiroideve në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit, shkruan agjencia “Reuters”.

“Pas raportimeve të medieve për beteja afër centralit bërthamor në Zaporizhia, ne vendosëm... para kohës që të ndërmarrim veprim mbrojtës për ta shpërndarë jodin”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blazej Pobozy, për “Radio Zet”.

“Do të doja që t’i siguroj të gjithë qytetarët se këto janë veprime rutinore parandaluese, që janë për të na mbrojtur ne në rast të një situate e cila... shpresoj që nuk do të ndodhë”, shtoi ai.

Ushtria ruse hodhi nëntë raketa në qytetin Zaporizhia, duke goditur një hotel dhe një trafostacion, tha të enjten guvernatori rajonal, Oleksandr Starukh.

Drejtori i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për energji atomike tha të mërkurën se nuk do ta braktisë planin për krijimin e një zone mbrojtëse përreth centralit pavarësisht nga planet ruse për mobilizimin e trupave të reja dhe mbajtjen e referendumit në rajonet lindore të Ukrainës.

Bombardimet përreth centralit në Zaporizhia, që është centrali më i madh bërthamor në Evropë, kanë dëmtuar ndërtesa afër gjashtë reaktorëve të tij dhe kanë shkëputur kabllo të rrymës, duke shkaktuar rrezik për katastrofë bërthamore që do t’i prekte edhe vendet fqinje të Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina e kanë fajësuar njëra-tjetrën për bombardimet përreth centralit./Nacionale

Lajme të ngjashme