Frika nga lufta bën që edhe Japonia pacifiste të përgatitet për vetëmbrojtje
Në dritën e pushtimit rus të Ukrainës, deputetët konservatorë japonezë po bëjnë presion që vendi të largohet nga parimet e tij pacifiste, drejt shpenzimeve më të mëdha të mbrojtjes dhe aftësive kundërsulmuese.
Zyrtarisht, Japonia nuk ka një ushtri, por vetëm "Forca Vetëmbrojtjeje".
Duke folur me deputetët japonezë përmes një videolidhje në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi Japoninë se është "kombi i parë aziatik që ka filluar të ushtrojë presion mbi Rusinë". Në fund të fundit, qeveria japoneze ka dënuar pushtimin e Rusisë dhe ka pranuar shumicën e sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj vendit.
Deutche Welle, shkruan se asetet e bankës qendrore të Rusisë dhe bankave të tjera të mëdha ruse janë ngrirë, së bashku me asetet në pronësi të 500 individëve dhe organizatave ruse. Japonia po ashtu ka ndaluar eksportin e teknologjisë së lartë në Rusi dhe e ka bërë të paligjshme kryerjen e investimeve të reja atje.
Japonia do të revokojë edhe statusin tregtar të Rusisë si një komb i ashtuquajtur i favorizuar. Përveç kësaj, kombi aziatik dëshiron të heqë dorë shpejt nga importet e qymyrit rus, por nuk do të braktisë një projekt të përbashkët ruso-japonez të gazit të lëngshëm natyror në Siberi.
Deri më tani 60 nga 168 kompani japoneze që operojnë në Rusi janë tërhequr nga vendi. Midis tyre janë edhe prodhuesi i makinave Toyota dhe gjiganti i teknologjisë Sony.
Në Japoni ka pasur një valë mbështetjeje pro-ukrainase.
Veprimi i shpejtë dhe i vendosur i Japonisë në lidhje me Rusinë tregon se vendi kërkon të bëhet një aktor kryesor në politikën botërore. Në të vërtetë, kryeministri Fumio Kishida shpreson se një pozitë më e madhe ndërkombëtare do t'i lejojë Japonisë të mbrojë interesin e saj politik dhe ekonomik. 64-vjeçari Kishida, i cili shërbeu si ministër i Jashtëm midis 2012 dhe 2017 dhe për pak kohë si ministër i Mbrojtjes, kërkon të jetë në radhë me ShBA-në, partnerin e saj strategjik.
Në të njëjtën kohë, Japonia dëshiron të largohet nga roli i partnerit të vogël.

Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen
Japonia, e cila dikur vendosi pacifizmin në qendër të politikës së saj të jashtme, po miraton një qëndrim gjithnjë e më të fortë sigurie. Ky ndryshim gradual u iniciua nga ish-kryeministri Shinzo Abe. Ai ka sjellë një riinterpretim të nenit 9 të Kushtetutës japoneze, i cili e ndalon Japoninë të bëjë luftë dhe të mbajë një ushtri. Pavarësisht kësaj, Abe ka lejuar Forcat Vetëmbrojtëse të Japonisë të ndihmojnë aleatët ndërkombëtarë në rast të një "kërcënimi të rëndë".
Nëse, për shembull, një luftanije amerikane sulmohej, Forcat Japoneze të Vetëmbrojtjes mund të vinin në mbrojtje të saj. Atyre u është dhënë gjithashtu leja për të nisur misionet e pastrimit të minave në Lindjen e Mesme për të mbrojtur interesat ekonomike japoneze. Udhëheqësit e mëparshëm e kishin hedhur poshtë këtë "veprim", duke e parë si antikushtetues.
Por, në dritën e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Kishida dhe udhëheqja konservatore synojnë të gërryejnë më tej qëndrimin pacifist të vendit. Disa ditë më parë, anëtarët e Partisë Liberale Demokratike (LPD) në pushtet propozuan dyfishimin e buxhetit të mbrojtjes të Japonisë në 2% të PBB-së brenda pesë viteve.
Ish-kryeministri Abe e mbështeti masën. "Të gjitha vendet e NATO-s pa përjashtim kanë deklaruar se do të rrisin buxhetin e tyre të mbrojtjes në 2% të PBB-së," tha Abe javën e kaluar në Forumin për Studime Strategjike, duke shtuar se Japonia "do të bënte budallallëk" nëse nuk do të ndiqte shembullin.
Deri më tani, Japonia ka qëndruar në një prag prej 1% të PBB-së, në përputhje me politikën e saj të mbrojtjes. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), Japonia tashmë e rriti buxhetin e saj me 7,3% vitin e kaluar në 54,1 miliardë dollarë - rritja më e madhe që nga viti 1972.
Ky ndryshim i politikës mund të kodifikohet më vonë këtë vit, kur Japonia të ndryshojë strategjinë e saj të sigurisë kombëtare për herë të parë që nga viti 2013. Budisti i Japonisë, Komei, partneri i vogël i koalicionit të LDP-së, ka sinjalizuar se do ta kundërshtonte këtë hap.
Udhëheqësi i Komei-t, Natsuo Yamaguchi, ka thënë se publiku japonez nuk do të "pranonte me lehtësi" një dyfishim të buxhetit të mbrojtjes nëse kjo do të nënkuptonte shkurtimin e mirëqenies sociale ose rritjen e taksave.
Kapaciteti kundërsulmues
Ekspertët e sigurisë së LDP-së po bëjnë thirrje për futjen e sistemeve të armëve të afta për t'iu kundërvënë kërcënimeve të armikut përpara se të godasin. Shinzo Abe më parë gjithashtu i kishte bërë thirrje Japonisë që të zhvillonte aftësi kundërsulmesh. Megjithatë, kjo aftësi do të shkonte kundër pacifizmit të sanksionuar me kushtetutë të vendit.
Ndërkohë, Japonia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga premtimi i saj për t'iu shmangur armëve bërthamore. Ndërsa ish-kryeministri Abe sugjeroi së fundmi se armët bërthamore të SHBA-së mund të vendosen në Japoni, siç është rasti në Gjermani, kjo ide u hodh poshtë shpejt nga kryeministri aktual Kishida. Ai tha se një veprim i tillë do të shkelte angazhimin e Japonisë për të mos ndërtuar, zotëruar apo stacionuar armë bërthamore.