Franca “seriozisht e shqetësuar” nga paralajmërimi i Izraelit për luftë të gjatë në Gaza - NACIONALE

Franca “seriozisht e shqetësuar” nga paralajmërimi i Izraelit për luftë të gjatë në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca është “seriozisht e shqetësuar” nga njoftimi i Izraelit se luftimet në Gaza do të shpeshtohen e do të zgjaten, tha të martën Ministria e Jashtme e Francës.

Në një deklaratë, kjo ministri e përsëriti thirrjen e saj për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve që do të çonte në armëpushim, duke thënë se bombardimet kishin rezultuar në viktima të shumta civile ditëve të fundit, raporton televizioni CNN.

“Izraeli duhet të ndërmarrë masa konkrete për ta mbrojtur jetën e popullsisë civile në Gaza”- thuhet në deklaratë, ku shtohet se Izraeli duhet ta lehtësojë shpërndarjen e ndihmave në mbarë enklavën dhe duhet të marrë masa urgjente për ta siguruar “qasjen humanitare të sigurt e të papenguar”.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Francës erdhi pas paralajmërimit të komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Herzi Halevi, i cili të martën tha se lufta kundër Hamasit në Gaza do të vazhdojë “për shumë muaj të tjerë”, duke u bërë jehonë komenteve të udhëheqësve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, se konflikti është larg fundit.

Javën e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se luftimi i “grupeve terroriste” nuk mund ta nënkuptojë “goditjen e popullsive civile”.

“Nuk mund ta lejojmë pranimin e idesë që luftimi i terrorizmit praktikisht ta nënkuptojë rrafshimin e Gazës ose sulmin pa dallim ndaj popullsisë civile dhe të shkaktojë viktima civile”- tha Macroni në një intervistë për televizionin “France 5”.

Duke shtuar se lufta kundër Hamasit dhe “grupeve terroriste” të tjera në Lindje të Mesme është çështje që shqetëson shtete përtej Izraelit, presidenti francez tha se kundërpërgjigjja e sigurisë ndaj terrorizmit nuk është “shkatërrimi masiv, përfshirë infrastrukturën civile dhe goditjen e popullsive civile”.

Lajme të ngjashme