Franca miraton projektligjin që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç - NACIONALE

Franca miraton projektligjin që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ligjvënësit francezë kanë miratuar një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, një nismë e mbështetur nga presidenti Emmanuel Macron si mënyrë për të mbrojtur fëmijët nga koha e tepruar para ekraneve, shkruan The Guardian.

Dhoma e ulët e Parlamentit francez e miratoi tekstin me 130 vota pro dhe 21 kundër, pas një seance të gjatë nate nga e hëna në të martë.

Tani projektligji do t’i kalojë Senatit, dhomës së lartë të Francës, përpara se të bëhet ligj.

Macron e përshëndeti votimin si një “hap madhor” për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve francezë, në një postim në platformën X.

Legjislacioni, i cili parashikon gjithashtu ndalimin e telefonave mobilë në shkollat e mesme, do ta bënte Francën vendin e dytë që ndërmerr një hap të tillë, pas Australisë që ndaloi rrjetet sociale për nën 16-vjeçarët në dhjetor.

Me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale, janë shtuar edhe shqetësimet se koha e tepërt para ekranit po dëmton zhvillimin e fëmijëve dhe po kontribuon në problemet e shëndetit mendor.

“Emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk janë për t’u shitur apo manipuluar, qoftë nga platformat amerikane apo nga algoritmet kineze,” tha Macron në një video të transmetuar të shtunën.

Lajme të ngjashme