Franca ballafaqohet me dhunë shkaku i zgjedhjeve, paralajmëron ministri i Brendshëm
Franca mund të përballet me trazira civile dhe dhunë që ndërlidhen me zgjedhjet, tha të hënën ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, përderisa fushata po hyn në javën e fundit para rundit të parë të votimit.
“Është e mundshme që do të ketë tensione tepër të forta” – tha Darmanini në Radion RTL, duke shtuar se autoritetet po përgatiten për situatë “shumë të ndezshme”, kur zgjedhjet do të mbahen më pak se një muaj para Lojërave Olimpike Parisi 2024, raporton agjencia “Reuters”.
“Populli u thotë “jo” parisienëve, elitave me diplomat e tyre” – shtoi ministri francez.
Presidenti Emmanuel Macron, i cili e shokoi vendin me vendimin për ta shpërndarë Asamblenë Kombëtare më herët këtë muaj, nuk është në fletëvotim, por për shumë votues, këto zgjedhje shihen si referendum për fatin e një presidenti që dikur shihej si i aftë për t’i tejkaluar përçarjet politike, por mbështetja për të cilin ka rënë pas disa krizave politike.
“Unë ju besoj juve” – u tha Macroni votuesve në një “letër francezëve” publikuar të dielën, në të cilën ai u mundua që ta paraqiste kampin e tij si shpresë të fundit për stabilitet, duke shtuar: “Unë nuk jam i verbër: unë jam i vetëdijshëm për pafuqinë demokratike.”
Presidenti francez gjithashtu ritheksoi se do të qëndrojë në postin e vet derisa t’i përfundojë mandati më 2027 pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve.
Kampi i Macronit është duke ngecur prapa në sondazhe pas së djathtës ekstreme dhe një aleance majtiste të formuar rishtazi.