Forcat ukrainase përparojnë drejt Khersonit, Ukraina vendos kufizime të energjisë - NACIONALE

Forcat ukrainase përparojnë drejt Khersonit, Ukraina vendos kufizime të energjisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase të enjten ia solli punën edhe më ngushtë forcave ruse në qytetin e pushtuar jugor, Kherson, ndërsa qeveria ukrainase dha urdhër për kufizime gjithëkombëtare të furnizimit me energji elektrike për shkak të sulmeve ruse me raketa e dronë ndaj centraleve të energjisë.

Në Kherson, i vetmi kryeqytet rajoni i pushtuar nga forcat ruse që nga fillimi i luftës, administrata e vendosur nga Rusia e filloi evakuimin e banorëve të qytetit ku ekziston e vetmja rrugë tokësore për në Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e kishte aneksuar më 2014, dhe për në “gojën” e Lumit Dnipro.

Të mërkurën, Kirill Stremousov, zëvendësdrejtor i administratës së përkrahur nga Rusia në Kherson, shkroi në rrjete sociale se Ukraina ka nisur një sulm drejt vendbanimeve Novaya Kamianka dhe Berislav të rajonit Kherson, raporton agjencia “Reuters”.

Përderisa Ukraina qëndroi gojëmbyllur për operacionet e veta, ushtria e saj tha në një përditësim të enjten herët në mëngjes në rajonin Kherson se 43 ushtarë rusë janë vrarë dhe gjashtë tanke e disa pajisje të tjera ushtarake janë shkatërruar. Agjencia “Reuter” nuk ka mundur t’i vërtetojë këto raporte nga fushëbeteja.

Rreth 50.000 deri në 60.000 njerëz do të zhvendosen nga Khersoni gjatë gjashtë ditëve të ardhshme, tha Vladimir Saldo, udhëheqës i vendosur nga rusët në atë zonë. Ai pretendoi se Rusia i ka burimet për ta mbajtur qytetin dhe madje edhe për të kryer kundërsulm, nëse është e nevojshme.

Të enjten, Qeveria e Ukrainës vendosi kufizime për përdorimin e energjisë elektrike për herë të parë që nga fillimi i luftës pas disa sulmeve ruse ndaj centraleve energjetike para se të fillojë acari i dimrit.

Furnizimi me rrymë do të kufizohet mes orës 7 të mëngjesit deri në orën 23 para mesnatës, thanë disa zyrtarë qeveritarë dhe operatori “Ukrenergo”. Ndërprerjet e përkohshme janë të mundshme, nëse njerëzit nuk e minimizojnë përdorimin e energjisë, tha një ndihmës i presidentit Zelensky.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë që, me ardhjen e dimrit, do ta kërkojmë ndihmën tuaj edhe më shpesh”, tha operatori “Ukrenergo”, duke iu referuar kufizimeve që do të vlejnë vetëm të enjten.

Rusia ditëve të fundit i ka shpeshtuar sulmet me raketa e dronë ndaj centraleve të energjisë dhe infrastrukturës për furnizim me ujë.

“Ka dëm të ri ndaj infrastrukturës kritike. Tri objekte energjetike u shkatërruan nga armiku sot. Supozojmë se terrori rus do të jetë i drejtuar ndaj objekteve të energjisë derisa, me ndihmën e partnerëve, ne do të mund të rrëzojmë 100 për qind të raketave dhe dronëve”, tha të mërkurën në mbrëmje presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ai pritet që t’i drejtohet një samiti të BE-së të enjten, kur udhëheqësit e 27 vendeve të këtij blloku do të diskutojnë për opsionet për më shumë përkrahje për Ukrainën, përfshirë dhurimin e pajisjeve të energjisë, ndihmën për rikthimin e furnizimit me energji dhe financimin afatgjatë për rindërtim./Nacionale

Lajme të ngjashme