Forcat Speciale të Ukrainës thonë se sulmi ndaj selisë ruse në Krime ka lënë dhjetëra të vdekur e të plagosur - NACIONALE

Forcat Speciale të Ukrainës thonë se sulmi ndaj selisë ruse në Krime ka lënë dhjetëra të vdekur e të plagosur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat për Operacione Speciale të Ukrainës thanë të shtunën se sulmi në selinë qendrore të Flotës së Detit të Zi të ushtrisë ruse në Sevastopol ka lënë dhjetëra të vdekur e të plagosur, përfshirë pjesëtarë të lartë të udhëheqësisë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin “Telegram”, Forcat për Operacione Speciale thanë se operacioni i quajtur “Kurthi i gaforres” ishte caktuar që të bëhej në kohën e takimit të anëtarëve të lartë të Forcave Detare të Rusisë dhe se dhjetëra persona janë vrarë e janë plagosur, “përfshirë udhëheqësinë e lartë të flotës”, raporton televizioni CNN.

“Puna e guximshme dhe e mundimshme e Forcave për Operacione Speciale u mundësoi atyre që ta godisnin selinë qendrore të Flotës së Detit të Zi (të Rusisë) me kohë dhe me saktësi, përderisa stafi i lartë i Forcave Detare të Rusisë ishte në takim në qytetin e pushtuar përkohësisht, Sevastopol”- thuhet në deklaratën e forcave speciale ukrainase.

“Të dhënat iu dërguan Forcës Ajrore për të sulmuar. Hollësitë e sulmit do të publikohen porsa të jetë e mundshme. Rezultati është dhjetëra pushtues të vdekur e të plagosur, përfshirë udhëheqësinë e lartë të flotës”- thuhet më tej në këtë deklaratë. “Do të shkojmë më larg!”- shtohet aty.

Ukraina deri më tani nuk ka dhënë hollësi të tjera ose ndonjë dëshmi për pasojat specifike në njerëz në mesin e Flotës së Detit të Zi të Rusisë.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë fillimisht kishte raportuar se një ushtar ishte vrarë nga sulmi i së premtes, por më vonë e ndryshoi deklaratën, duke thënë se bëhet fjalë për një të zhdukur.

Lajme të ngjashme