Forcat ruse ndryshojnë taktikë, shmangin luftimet e drejtpërdrejta me ukrainasit - zhvillimet kyçe të ditës së 36-të
Përderisa luftimet në Ukrainë vazhdojnë edhe në ditën e 36-të, duke përgënjeshtruar negociatorët rusë që njoftuan për një ulje të aktivitetit ushtrak- Presidenti rus Vladimir Putin sot ka paralajmëruar vendet të cila ai i quan “jo-mike”, se nëse nuk fillojnë të bëjnë pagesa në rubla, nga data 1 prill, Rusia do t’ua ndërpresë gazin.
Të gjitha zhvillimet kyçe të ditës 36 nga lufta Rusi-Ukrainë, i gjeni më poshtë të përmbledhura nga Gazeta Nacionale.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se forcat ruse nuk po tërhiqen, por po rigrupohen. Ai shtoi se aleanca ende nuk ishte bindur se Rusia po negocionte në mirëbesim në bisedimet e paqes në Stamboll – për arsye se objektivi ushtarak i Moskës që nga fillimi i pushtimit të saj në Ukrainë nuk kishte ndryshuar.
Kreu i forcave të armatosura britanike, admirali Sir Tony Radakin tha se pozicioni i presidentit rus Vladimir Putin është “zbutur” pas pushtimit të tij në Ukrainë.
Putin nënshkroi një dekret në të cilin thuhet se blerësit e huaj nga data 1 prill duhet të paguajnë në rubla për gazin rus. Ai tha se nëse këto pagesa nuk kryhen, kontratat do të ndërpriten.
Kërkesat e Putinit u refuzuan shumë shpejtë nga Gjermania dhe Franca. Ministrat e këtyre vendeve thanë se kjo është një shkelje e papranueshme e kontratave dhe përbën "shantazh".
Forcat ruse rreth Kievit kanë humbur kapacitetin e tyre sulmues dhe po ndryshojnë taktikat për të favorizuar sulmet me rreze të gjatë sesa luftimet e drejtpërdrejta, tha zëvendës shefi i shtabit të forcave tokësore të Ukrainës. Oleksandr Hruzevych tha: "Armiku pothuajse e ka shteruar potencialin e tij sulmues, por forcat që mbeten rreth Kievit nuk janë të vogla".
Sipas një raportimi të Reuters, forcat ruse kanë vrarë 148 fëmijë përmes bombardimeve dhe sulmeve ajrore që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, ka njoftuar se forcat ruse kanë gjuajtur 1370 raketa dhe kanë shkatërruar 15 aeroporte deri më tani.
Më shumë se 10 milionë ukrainas kanë ikur që nga fillimi i pushtimit, njoftoi ministria e mbrojtjes, por Reuters nuk mundi t'i verifikonte në mënyrë të pavarur këto shifra.
Rusia ka zgjeruar sanksionet e saj kundrejtë Perëndimit, duke thënë se më shumë figura të larta të Bashkimit Evropian ndalohen të hyjnë në vend. Masa e ndërmarrë ishte në përgjigje të asaj që Kremlini është përpjekur ta portretizojë si politika anti-ruse, pasi Moska përballet me sanksione të rënda të vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës.