Forcat ruse depërtojnë në qytetin Pokrovsk, Ukraina dërgon përforcime - NACIONALE

Forcat ruse depërtojnë në qytetin Pokrovsk, Ukraina dërgon përforcime

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ukraina po nxiton që t’i përforcojë pozicionet e veta në qendrën strategjike të transportit, qyteti Pokrovsk, pasi rreth 200 trupa ruse kanë depërtuar në këtë vendbanim në grupe të vogla, tha të hënën ushtria ukrainase.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, i cili e dha vlerësimin për forcat armike, raportoi për luftime me armë të vogla dhe dislokim aktiv të dronëve. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se grupet sulmuese të saj po mundoheshin që të avanconin afër stacionit të trenit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ka luftime të ashpra në qytet dhe në afërsi të qytetit... Logjistika është e vështirë, por ne duhet të vazhdojmë që t’i shkatërrojmë pushtuesit” – tha të dielën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Rusia me muaj e ka pasur për synim pushtimin e Pokrovskut, pjesë kyçe e vijave ukrainase të mbrojtjes, duke e parë atë si pikë jetike në fushatën për ta kapur tërë rajonin e Donetskut.

Njësiti i 7-të i Reagimit të Shpejtë i parashutistëve ukrainas tha të hënën se pozicionet në qytet janë përforcuar ditëve të fundit, përderisa luftimet në zona urbane vazhdonin.

“Pushtuesit, të cilët kanë hyrë në qytet, nuk po mundohen që t’i mbajnë pozicionet, por synojnë që të avancojnë më tej në veri. Duke e bërë këtë, armiku dëshiron që t’i shpërndajë forcat tona të mbrojtjes dhe t’i bllokojë korridoret tokësore të logjistikës” – shkroi ky njësit në rrjetin social “Facebook”.

Sipas Zelenskyt, Rusia e ka përqendruar forcën kryesore sulmuese kundër qytetit Pokrovsk. Duke e cituar inteligjencën ukrainase, ai i tha mediumit amerikan “Axios” se presidenti rus, Vladimir Putin, në mënyrë private ka pretenduar se Moska do ta merrte nën kontroll tërë Donbasin, i cili përbëhet nga rajonet Donetsk dhe Luhansk, deri më 15 tetor. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Projekti ukrainas i hartave me burim të hapur, “Deep State”, në javën e fundit e ka zvogëluar zonën në jugperëndim të Pokrovskut që e konsideron nën kontroll të forcave ukrainase, duke e rritur zonën “që kërkon qartësim” në rreth një të pestën e qytetit.

Rusia ka nën kontroll rreth 75 për qind të rajonit të Donetskut, ndërsa rreth 6.600 kilometra katror janë ende nën kontrollin e forcave ukrainase.

Trupat ruse rregullisht raportojnë për avancime të vogla në rajon, por qe tashmë një vit kanë dështuar që të sigurojnë ndonjë përparim strategjik./Nacionale

Lajme të ngjashme