Forcat izraelite vrasin dy adoleshentë palestinezë gjatë bastisjes natën në Bregun Perëndimor
Forcat izraelite vranë dy adoleshentë palestinezë gjatë një bastisjeje të zhvilluar gjatë natës në një qytezë afër Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, thanë banorët, përderisa po shtohet dhuna me numër në rritje të të vdekurve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Autoritetin Palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor, forcat izraelite i qëlluan me armë 16-vjeçarin Sami Ibrahim Mashaikha dhe 18-vjeçarin Amr Khaled Al-Marboua, në Kfar Aqab dhe të dy më vonë vdiqën nga plagët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Agjencia palestineze e lajmeve, WAFA, raportoi se forcat izraelite e kishin bastisur qytezën Kfar Aqab gjatë natës, duke dislokuar forca rrugëve dhe mbi ndërtesat e këtij vendbanimi para se të hapnin zjarr.
Policia izraelite tha në një deklaratë se forcat e saj hapën zjarr në drejtim të katër personave që, sipas saj, po paraqisnin rrezik të menjëhershëm gjatë një operacioni në zonën e Kfar Aqabit. Policia tha më tej se këta individë u evakuuan nga ekipet mjekësore.
Sipas policisë, në shënjestër të operacionit ishin ato që i përshkroi si “elemente armiqësore që po synonin t’i lëndonin forcat e armatosura dhe të provokonin çrregullim të dhunshëm”. Policia u sulmua me hedhje gurësh e fishekzjarrësh gjatë operacionit, thuhet në deklaratë.
Policia izraelite tha gjithashtu se u dëgjuan edhe shumë të shtëna armësh, edhe pse burimi i tyre nuk u identifikua.
Përderisa armëpushimi i 10 tetorit kryesisht e ka sjellë fundin e luftës në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, Bregu Perëndimor po ballafaqohet me shtim të dhunës.