Forcat izraelite shtinë në spitalin “Nasser” në Khan Younis dhe vranë një pacient, thonë mjekët - NACIONALE

Forcat izraelite shtinë në spitalin “Nasser” në Khan Younis dhe vranë një pacient, thonë mjekët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite shtinë në spitalin kryesor në jug të Gazës të enjten herët, duke vrarë një pacient e duke plagosur gjashtë të tjerë, sipas mjekëve, përderisa ushtria po synon që të evakuojë mijëra njerëz të zhvendosur nga kompleksi mjekësor që ka qenë kryesisht i izoluar nga luftimet, raporton agjencia “Associated Press”.

Spitali “Nasser”, në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, ka qenë fokusi më i ri i operacioneve që e kanë goditur sektorin shëndetësor të enklavës, përderisa mjekët po mundohen që të trajtojnë shumë pacientë të plagosur gjatë bombardimeve të përditshme. Izraeli e akuzon Hamasin për përdorim të spitaleve e objekteve të tjera civile si mburojë për luftëtarët e grupit.

Në një video të pasojave pas një sulmi izraelit, që është parë nga agjencia AP, shihen mjekë duke u munduar që të largojnë pacientë në barela përmes një korridori të mbushur me tym ose pluhur. Një mjek përdor një telefon për të ndriçuar një dhomë të errët, ku një burrë i plagosur bërtet nga dhimbja, ndërsa jashtë dëgjohen të shtëna armësh. AP-ja tha se nuk mund t’i vërtetonte pamjet, por se ato përputhen me raportimet e saj.

Dr. Khaled Alserr, njëri nga kirurgët që kanë mbetur në spitalin “Nasser”, i tha AP-së se shtatë pacientët e goditur të enjten herët tashmë po trajtoheshin për plagë të pësuara më parë. Të mërkurën, një mjek u plagos lehtë, kur një dron hapi zjarr ndaj kateve të sipërme të spitalit, tha ai, duke shtuar: “Situata është duke eskaluar çdo orë e çdo minutë.”

Ushtria izraelite tha të mërkurën se kishte hapur një korridor të sigurt për njerëzit e zhvendosur që të largohen nga spitali, por se do ta lejonte qëndrimin e mjekëve dhe pacientëve aty. Në video që po qarkullojnë në internet shihen shumë njerëz duke dalë nga objekti në këmbë e duke bartur mbi krahë gjësende të veta.

Lajme të ngjashme