Forca izraelite vrasin tre palestinezë në Bregun Perëndimor
Forcat izraelite qëlluan për vdekje tre palestinezë në dy incidente të ndryshme në Bregun e pushtuar Perëndimor të mërkurën, duke e çuar në gjashtë numrin e palestinezëve të vrarë brenda disa orëve në territorin palestinez.
Dhuna në Bregun Perëndimor, që tashmë kishte qenë duke u shtuar për më shumë se një vit, është përkeqësuar që nga fillimi i luftës në Gaza, ku autoritetet shëndetësore thanë se dhjetëra njerëz më shumë ishin vrarë nga sulmet e reja ajrore të Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
Yousef Nimer, i cili ishte dëshmitar i një bastisjeje gjatë natës në qytetin e Bregut Perëndimor, Jenin, tha se forcat izraelite shtinë në drejtim të njerëzve me të cilët ai ishte ulur afër një spitali, përderisa ata po e përfundonin syfyrin.
“U thashë atyre: shikoni, është diçka që po vjen drejt nesh. Ne vrapuam, pastaj një snajper filloi të shtinte drejt nesh” – tha 16-vjeçari Nimer, i cili u plagos dhe tregoi nga një vrimë në njërin prej mureve të spitalit, për të cilën tha se u formua nga një plumb.
“Disa u zvarritën e disa ikën. Njerëzit që ikën, u lënduan, e ata që u zvarritën, u shpëtuan” – shtoi ai.
Më vonë të mërkurën, policia izraelite tha se një rojë e armatosur civile dhe një ushtar kishin qëlluar për vdekje një palestinez 15-vjeçar të dyshuar për një sulm me therje në një pikëkalimi ushtarak mes Jerusalemit dhe qytetit të Bregut Perëndimor, Betlehem.
Shërbimi ambulantor izraelit tha se dy pjesëtarë të personelit të sigurisë pësuan lëndime të lehta dhe të mesme nga therja dhe u dërguan në spital.
Policia izraelite tha se forcat izraelite gjatë natës kishin qëlluar për vdekje një palestinez nga një kamp refugjatësh në periferi të Jerusalemit, ndërsa Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se dy palestinezë të tjerë ishin vrarë në një pikë kontrolli.
Policia tha se djali u qëllua pasi kishte drejtuar fishekzjarrë nga forcat e stacionuara në një pikë vëzhgimi.
Në incidentin në pikën e kontrollit, policia tha se pesë persona ishin parë duke ndezur lëndë plasëse dhe synonin që t’i hidhnin ato në rrugë, duke i nxitur forcat izraelite që të hapnin zjarr dhe t’i arrestonin të dyshuarin. Policia nuk konfirmoi asnjë vdekje.
Izraeli i ka shtuar bastisjet në Bregun Perëndim që nga fillimi i luftës në Gaza. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, të paktën 358 njerëz janë vrarë atje nga 7 tetori.