Fokusi më i fortë i Kinës në opsionin ushtarak për Tajvanin e shton rrezikun me ShBA-në
Përderisa pluhuri po bie mbi aeroplanët kinezë që morën pjesë në ushtrimet përreth Tajvanit, mesazhi është i qartë: ushtria do ta mbështesë pretendimin e Kinës ndaj ishullit në një sfidë për Shtetet e Bashkuara, që do t’i mbajë tensionet të larta dhe do ta shtojë rrezikun për ballafaqim.
Kina dështoi që t’ia parandalonte vizitën në Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike javën e kaluar kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, udhëtim për të cilin Kina tha se e shkatërroi bazën për besim politik mes dy ekonomive më të mëdha botërore.
Analistët thonë se, me gjasë, ky udhëtim rezultoi edhe në ndërrimin e përllogaritjeve ushtarake të Kinës.
“Kjo krizë e fuqizoi pikëpamjen në Kinë se bashkimi me Tajvanin është ndoshta i mundshëm vetëm përmes mjeteve detyruese”, tha Zhao Tong, njohës i sigurisë nga organizata “Carnie Endowment for International Peace”.
Reagimi i menjëhershëm i Kinës ndaj vizitës së Pelosit ishin ushtrimet më të mëdha ushtarake ndonjëherë përreth Tajvanit.
Për herë të parë, Ushtria Çlirimtare Popullore i praktikoi operacionet me qëllim të bllokimit të ishullit, me gjasë hap i parë drejt pushtimit.
Gjithashtu për herë të parë, raketat fluturuan mbi ishull dhe anijet e kaluan vijën jozyrtare të mesit në Ngushticën e Tajvanit, të vendosur nga Shtetet e Bashkuara në vitet e pesëdhjeta, por asnjëherë të njohur zyrtarisht nga Kina.
Analistët e sigurisë presin që forcat kineze, sidomos forcat detare, t’i vazhdojnë patrullimet e gjera përreth Tajvan, duke kaluar përtej vijës së mesit dhe duke vendosur mbizotërim afatgjatë në rrugën detare.
Edhe para ushtrimeve, Kina e ka pretenduar sovranitetin në ngushticën për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Tajvani thonë se është rrugë ndërkombëtare detare.
“Kina tregoi se e ka fuqinë që t’i fusë në fuqi fjalët e saj dhe se fjalët e saj nuk janë vetëm qëndrim bosh diplomatik”, tha Wang Kun-yi, drejtor i Shoqërisë Tajvaneze për Studime Strategjike Ndërkombëtare.
“Ushtrimet e ndryshuan status-quo-në e Ngushticës së Tajvanit, të vendosur fillimisht nga amerikanët. Po presim që të shohim nëse amerikanët do të ndërmarrin ndonjë veprim për ta rikthyer këtë status-quo”, shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar ndonjë status quo të re dhe është zotuar se do të kryejë kalime ajrore e detare transit përmes ngushticës në javët e ardhshme.
Qeveria e Tajvanit thotë se, pasi Republika Popullore e Kinës nuk e ka qeverisur kurrë Tajvanin, ajo nuk ka të drejtë që ta pretendojë ose të vendosë për të ardhmen e tij.
Rreziqet ushtarake
Përderisa ushtrimet përfunduan të mërkurën, Kina e lëshoi raportin e parë për Tajvanin që nga viti 2000, duke e riafirmuar parapëlqimin për “bashkim paqësor” me Tajvanin.
Megjithatë, Kina e tërhoqi zotimin për të mos vendosur trupa në Tajvan pas marrjes së kontrollit.
Përderisa afirmimi i bashkimit paqësor tregon se Kina nuk është duke planifikuar një pushtim të menjëhershëm, pezullimi i disa kanaleve për komunikim ushtarak pas vizitës së Pelosit i ka dobësuar shtyllat për menaxhimin e konfliktit të paqëllimshëm me Shtetet e Bashkuara, duke i rritur rreziqet afatgjata ushtarake.
“Ballafaqimi mes Kinës dhe ShBA-së do të futet në një shpejtësi më të lartë”, tha Shi Yinhong, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Renmin në Kinë.
“Konflikti i qëllimshëm ende ka pa gjasa, por vendimi i Kinës për t’i pezulluar komunikimet ushtarake sigurisht se e ka bërë më të vështirë parandalimin e një përplasjeje rastësore”, shtoi ai.
Si protestë kundër vizitës së Pelosit, Kina gjithashtu e ka pezulluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në disa fusha të tjera, përfshirë ndryshimet klimatike dhe operacionet kundër drogës dhe vendosi sanksione të pasaktësuara kundër Pelosit dhe anëtarëve të familjes së saj.
Pasionet nacionaliste
Ushtrimet dhe reagimet e forta nga disa diplomatë kinezë nxitën pasione nacionaliste. Shumë qytetarë bënë thirrje në internet për “ribashkimin e mëmëdheut”.
Por intelektualët dhe personat me kokë të ftohtë në politikë thonë se nuk ka rrezik të vërtetë që dora e presidentit kinez, Xi Jinping, do të detyrohet nga thirrja publike për të bërë një lëvizje për Tajvanin para se ai të jetë i gatshëm.
“Udhëheqësit kinezë mund t’i përdorin ndjenjat nacionaliste të popullit për t’i justifikuar vendimet e tyre politike dhe për t’u bërë presion vendeve të tjera, por nuk funksionon në drejtimin tjetër. Udhëheqësi nuk do të jetë nën presion nga ndjenjat e publikut për të vepruar me ngut”, tha një person brenda politikës në kushte anonimiteti.
“Përdorimi i forcës kundër Tajvanit nuk është zgjidhja më e mirë tani”, shtoi ai.
Duke reflektuar ndaj vlerës ekonomike të Tajvanit, Kina vendosi disa pengesa ndaj importeve bujqësore të Tajvanit, por ia kurseu elektronikën, duke lënë të kuptohet që masat tregtare janë kryesisht simbolike.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

