FMN-ja e miraton programin e huave prej 15,6 miliardë dollarësh për Ukrainën - NACIONALE

FMN-ja e miraton programin e huave prej 15,6 miliardë dollarësh për Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar e ka miratuar programin 4-vjeçar të huas prej 15,6 miliardë dollarësh për Ukrainën, i cili është pjesë e pakos globale 115-miliardëshe për ta përkrahur ekonominë.

Ky vendim e hap rrugën për dhurim të menjëhershëm të rreth 2,7 miliardë dollarëve për Kievin, por nga Ukraina kërkohet që të kryejë reforma ambicioze, sidomos në sektorin e energjisë, tha FMN-ja, raporton gazeta “The Guardian”.

Programi i mëparshëm afatgjatë i huas nga FMN-ja, me vlerë të 5 miliardë dollarëve, u anulua në marsin e vitit 2022, pasi ky institucion ofroi 1,4 miliard dollarë financim urgjent me pak kushte. FMN-ja ofroi 1,3 miliard dollarë shtesë sipas programit të “dritarës së shokut ushqimor” në tetorin e vitit të kaluar.

Një zyrtar i FMN-së tha se në pakon 115-miliardëshe përfshihen huaja e kësaj organizate, 80 miliardë dollarë nga zotimet për krante e hua me koncesion nga institucione shumëpalëshe dhe shtete të tjera si dhe zotimet për lirim nga borxhi me vlerë prej 20 miliardë dollarësh.

Ukraina duhet të plotësojë kushte të qarta gjatë dy viteve të ardhshme, përfshirë hapat për shtimin e të hyrave nga taksat, mbajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, ruajtjen e pavarësisë së bankës qendrore dhe fuqizimin e përpjekjeve për ta luftuar korrupsionin.

“Pushtimi rus i Ukrainës vazhdon që të ketë ndikim shkatërrues ekonomik e social”- tha zëvendësdrejtorja e parë menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, e cila i lavdëroi autoritetet ukrainase për mbajtjen e stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik e financuar pavarësisht nga vështirësitë e luftës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i mirëpriti fondet e reja. “Kjo është ndihmë e rëndësishme në luftën tonë kundër agresionit rus. Së bashku, ne e përkrahim ekonominë ukrainase dhe po lëvizim përpara drejt fitores”- shkroi ai në “Twitter”.

Sekretarja e Thesarit e ShBA-së, Janet Yellen, e cila bëri përpjekje të madhe vitin e kaluar për ta siguruar pakon financuese nga FMN-ja, tha se kjo ndihmë do të ndihmojë për ta siguruar stabilitetin ekonomik e financiar të Ukrainës dhe për ta vënë themelin për rindërtimin afatgjatë të vendit.

Lajme të ngjashme