FMN-ja e ul parashikimin për rritje ekonomike globale për shkak të luftës
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka ulur parashikimin për rritje ekonomike globale për dy vitet e ardhshme për shkak të luftës në Ukrainë, duke i cilësuar efektet e konfliktit me tërmet.
“Efektet ekonomike të luftës janë duke u përhapur larg dhe gjerësisht”, tha kjo organizatë të martën.
FMN-ja tash pret që ekonomia botërore të rritet për 3.6 për qind në vitet 2022 dhe 2023, dukshëm më pak se rritja prej 6.1 për qind më 2021. Parashikimi i ri është për 0.8, përkatësisht 0.2 për qind më i ulët se vlerësimi i publikuar në janar.
Ky parashikim është bërë duke llogaritur që lufta do të mbetet brenda Ukrainës, sanksionet e reja ndaj Rusisë nuk e vënë në shënjestër sektorin e saj të madh të energjisë dhe efektet e pandemisë do të vazhdojnë të dobësohen.
FMN-ja thotë se lufta do t’i godasë më së shumti Ukrainën dhe Rusinë. Kjo organizatë pret që ekonomia e Ukrainës të tkurret për 35 për qind këtë vit, ndërsa përpjekjet e Perëndimit për ta ndëshkuar Rusinë pritet që të shkaktojnë tkurrje të ekonomisë së saj për 8.5 për qind.
Por për shkak se lufta ka shkaktuar rritje të çmimit të energjisë dhe të prodhimeve të ndryshme, përkeqësim të problemeve në zinxhirin furnizues dhe nxitje të pritjes për më shumë inflacion të vazhdueshëm, efektet e saj do të ndihen pothuajse gjithkund.
“Lufta do ta kthejë prapa rimëkëmbjen globale, duke e ngadalësuar rritjen dhe duke e rritur inflacionin edhe më tej”, thuhet në raportin e FMN-së, duke theksuar se ekonomia botërore nuk ishte rimëkëmbur plotësisht nga pandemia e koronavirusit, kur Rusia i nisi sulmet ushtarake në Ukrainë në fund të shkurtit.