Fillojnë funeralet në Serbi për viktimat e dy sulmeve masive
Pas dy sulmeve masive në Serbi, ku mbetën të varrë 17 persona dhe 21 të plagosur, tashmë ka filluar mbajtja e funeraleve për viktimat.
Të shtënat e së mërkurës në një shkollë në Beograd dhe të enjten në një zonë rurale në jug të kryeqytetit kanë lënë vendin të tronditur, pasi ndonëse Serbia është e mbushur me armë, të shtëna si këto të fundit nuk ka pasur që nga viti 2013 kur një person kishte vrarë 13 njerëz.
Kujtojmë se të mërkurën, një djalë 13-vjeçar hapi zjarr ndaj shokëve të tij, duke vrarë shtatë vajza, një djalë dhe një roje shkolle. E vetëm një ditë më vonë, një 20-vjeçar qëlloi në dy fshatra në Serbinë qendrore, duke vrarë tetë persona.
Autoritetet kanë premtuar reforma për armë dhe kanë thënë se do të rrisin sigurinë në shkolla. Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se katër nga tetë fëmijët e vrarë nga të shtënat në shkollë, si dhe roja e shkollës Vladislav Ribnikar, do të varrosen në varrezat në Beograd të shtunën, në ditën e dytë të zisë treditore për viktimat. Ndërsa, një shërbim funerali masiv do të mbahet në fshatin e vogël Malo Orašje për pesë të rinjtë që u vranë nga të shtënat të enjten në mbrëmje.
Motivi i të dy sulmeve është ende i paqartë, e ndërsa është raportuar se djali 13-vjeçar është vendosur në një klinikë të shëndetit mendor, pasi është shumë i ri për t'u akuzuar penalisht, vrasësi tjetër është arrestuar.
