Familjet ukrainase detyrohen të ikin përsëri – forcat ruse po i afrohen Dnipropetrovskut
Përderisa forcat ruse po i afrohen rajonit Dnipropetrovsk të Ukrainës, shumë familje tashmë të zhvendosura nga lufta po detyrohen që të largohen edhe një herë.
Kur po bëhen evakuimi dhe vija e frontit po avancon, banorët e fshatrave që kufizohen me rajonin e Donetskut nuk e dinë nëse do t’i shohin prapë shtëpitë e tyre, shkruan shërbimi në gjuhën angleze i Radios “Evropa e Lirë”.
6-vjeçari Damir, nga zona e goditur nga lufta, Pokrovsk, nuk mund t’i mbajë lotët, teksa familja po largohet nga shtëpia e gjyshërve të tij në Dnipropetrovsk.
“Pse po qan” – e pyet gjyshi Mikola. “Nëna jote do të vijë me ty, motrat e tua do të vijnë, vëllai do të vijë… Do t’i kesh të gjithë në gishta atje” – shtoi ai, me shpresën se do të vendoste një buzëqeshje në fytyrën e nipit.
Familja e Damirit u largua nga Pokrovsku para një viti, ku kishte ndërtuar një shtëpi para fillimit të pushtimit të plotë rus. Tani, duke ikur për herë të dytë, familja ka pak shpresë se do ta shohë shtëpinë ndonjëherë.
“As nuk e di nëse banesa ime është ende e paprekur. E di se ato që janë afër janë djegur tërësisht” – tha Valentyna, gjyshja e Damirit.
“Lagjja ku jetonin fëmijët e mi është shkatërruar me themel” – shtoi ajo.
Këtë verë, autoritetet në rajonin e Dnipropetrovskit njoftuan një evakuim të detyrueshëm të disa zonave kufitare. Grave dhe fëmijëve u kërkohet që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Muajve të fundit, ky rajon – bashkë me qendrën e rëndësishme të vullnetarëve dhe refugjatëve, qyteti Dnipro – u bë cak i shpeshtë i sulmeve ruse me dronë e raketa.
Serhiy Lysak, drejtor i administratës ushtarake lokale, thotë se rajoni ballafaqohet me sulme ruse “gati përditë” dhe se infrastruktura civile e zonat e banimit janë në rrezik të vazhdueshëm.
Në përpjekje për ta kapur tërë rajonin e Donetskut, forcat ruse po bëjnë shtytje në terren, duke i sulmuar disa nga zonat e tij që kufizohen me Dnipropetrovskun.
“Lufta po vjen gjithnjë më afër” – tha motra adoleshente e Damirit. “Tashmë mund të dëgjohen zjarri i armëve dhe shpërthimet. Ne duam që të jem larg tërë kësaj” – shtoi ajo.
Përderisa gratë dhe fëmijët po evakuohen, burrat qëndrojnë, me shpresën se situata përfundimisht do të stabilizohet dhe familjet e tyre do të mund të kthehen.
“Më vjen keq për nipat e mbesat dhe fëmijët e mi, jo për veten” – tha gjyshi Mikola. “Veç do ta marr sfurkun dhe do ta ruaj këtë vend” – shtoi ai me një buzëqeshje.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli